Grafiku i dallimit të frikshëm të fuqisë ushtarake mes Kinës dhe Tajvanit - NACIONALE

Grafiku i dallimit të frikshëm të fuqisë ushtarake mes Kinës dhe Tajvanit

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Tajvani u bë lajm botëror ditëve të fundit. Vizita e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi, e zemëroi Kinën dhe tensionet u rritën. Sidoqoftë, vizita u realizua dhe kërcënimet e Pekinit u shfaqën në formën e ushtrimeve ushtarake përreth ishullit vetëqeverisës. Por cila është fuqia ushtarake e Kinës dhe Tajvanit ë rast të shpërthimit të konfliktit të armatosur? Dallimi është shumë, shumë i madh.

Agjencia franceze e lajmeve, AFP, ka publikuar një grafik të dallimit të fuqisë ushtarake mes Kinës dhe Tajvanit duke u mbështetur në të dhënat e institutit IISS dhe të Shoqatës së Shkencëtarëve Amerikanë. Në grafik janë paraqitur dallimet në buxhetin e mbrojtjes, numrin e ushtarëve dhe armatimin e forcave tokësore, forcave detare dhe forcave ajrore.

Sa i përket buxhetit të mbrojtjes për vitin 2021, Kina kishte 213.9 miliardë dollarë, ndërsa Tajvani “vetëm” 16.2 miliardë dollarë. Përkthyer në përqindje të GDP-së, Kina ndau 1.23 për qind të GDP-s për mbrojtje, ndërsa Tajvani 2.05 për qind.

Në fushën e armëve bërthamore, Tajvani nuk mund të krahasohet me Kinën. Kina është në mesin e pak shteteve që kanë armë bërthamore. Vlerësohet se Pekini ka 350 koka bërthamore, Tajvani asnjë.

Kina ka gjithashtu shumë më shumë ushtarë se Tajvani. Dallimi është i natyrshëm për shkak të fakteve gjeografike e sociale dhe e pasqyron dallimin në numrin e popullsisë dhe të sipërfaqes. Kina ka dy milionë e 35 mijë ushtarë aktivë, ndërsa Tajvani 169 mijë.

Dallimi është tejet i dukshëm edhe sa i përket forcave paramilitare. Kina ka personel prej 500.000 paramilitarësh, kurse Tajvani ka vetëm 11.800 paramilitarë. Sidoqoftë, Tajvani ka mbi trefish më shumë ushtarë rezervë se Kina – 1 milion e 657 mijë, në krahasim me 510 mijë.

Forcat tokësore

Ushtria kineze mbizotëron sa i përket armatimit të forcave tokësore. Kina ka 717 raketahedhës tokë-tokë në krahasim me vetëm 12 që ka Tajvani. Kina ka 6.854 armë anti-tank, kurse Tajvani vetëm 525 të tilla.

Kina ka gjithashtu numër shumëfish më shumë automjete luftarake të blindura – 20.654 – në krahasim me Tajvanin, që ka 2.768 sosh. Ushtria kineze ka edhe shumë më shumë armë artilerie se ushtria tajvaneze. Dallimi është 10.136 me 2.093.

Ushtria kineze ka epërsi të lartë edhe për numrin e raketahedhësve kundërajrorë tokë-ajër. Kina ka 1.478 raketahedhës të tillë, ndërsa Tajvani vetëm 278.

Forcat detare

Kina mbizotëron edhe sa i përket fuqisë ushtarake në det. Ushtria kineze ka 745 anije luftarake patrulluese dhe bregdetare, ndërsa Tajvani ka 212 të tilla. Kina ka 376 anije amfibe, Tajvani 52.

Forcat detare kineze kanë 57 anije për luftë me mina, Tajvani ka vetëm 9 të tilla. Kina ka 59 nëndetëse, ndërsa Tajvani vetëm katër sosh.

Ushtria kineze ka 92 luftanije të llojeve të ndryshme e dy aeroplanmbajtëse, ndërsa Tajvani ka vetëm 26 luftanije dhe nuk ka asnjë aeroplanmbajtëse.

Forcat ajrore

Forcat e armatosura të Kinës kanë epërsi të dukshme ndaj ushtrisë së Tajvanit edhe sa i përket armatimit të forcave ajrore.

Kina ka 3.919 aeroplanë, ndërsa Tajvani vetëm 560. Kina ka 1.094 helikopterë, kurse Tajvani 248 sosh. Kina ka 31 mjete fluturuese pa pilotë, ndërsa Tajvani ka 28 të tilla./Nacionale

Lajme të ngjashme