“Gjaku i tyre në duart tua”: Familjari i pengjeve i ashpër me ministrin izraelit që kërkoi dënim me vdekje
Një përplasje e ashpër ndodhi të hënën mes ministrit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, dhe përfaqësuesve të familjeve të pengjeve që po mbahen nga Hamasi. Zënka shpërtheu, kur ministri i së djathtës ekstreme propozoi që të fuqizohet dënimi me vdekje në vend.
“Mendoj se dënimi me vdekje është i domosdoshëm në mënyrë që ngjarjet si ajo që e kemi pasur të mos përsëriten në të ardhmen – një masakër tjetër, një katastrofë tjetër”- tha ministri i Netanyahut, sipas videos së publikuar nga gazeta britanike “The Telegraph”.
I menjëhershëm dhe i ashpër ishte reagimi i një familjari që po i mbahen peng vajza dhe bashkëshortja.
“Unë kam një vajzë atje [në Gaza], kam një grua atje, pse është kaq urgjente të futemi në një situatë ku – për shkak se e doni dënimin me vdekje për terroristët dhe ta ngrini atë këtu në komision – a do të ishin të gatshëm për ta pasur gjakun e këtyre njerëzve për shkak të urgjencës së çmendur të pranimit të dënimit me vdekje për terroristët? Gjithçka që del nga kjo sallë dëgjohet në anën tjetër [nga militantët]”- tha familjari i pengjeve.
“Nëse, Zoti mos e bëftë, nazistët, psikopatët dhe gjithçka që thoni për ta do ta përdorin këtë kundër pengjeve për t’i lënduar ato, gjaku i tyre do të jetë në duart tua, në tuat dhe në tuat e në të të gjithë juve”- shtoi ai me zemërim.
“E dua kthimin e fëmijës tim në shtëpi, është shumë e thjeshtë, jo të kënaq asnjë armik, vetëm e dua kthimin e vajzës sime në shtëpi”- tha më tej familjari, duke marrë duartrokitje nga të pranishmit.
“Aq sa po kuptoj unë dhe sipas pikëpamjes sime, ky diskutim po e rrezikon jetën e hebrenjve dhe, në vend që të flasim për vdekjen, që ishte fjala më e shpeshtë në këtë diskutim, flisni për jetën, 239 pengje të gjalla, nxirrni ato e pastaj flisni për shkatërrimin, dënimin me vdekje, çfarëdo që doni”- tha në fund personi që ka anëtarë të familjes në duar të grupeve palestineze.