Gati për t’i dhënë fund partneritetit me Perëndimin, Rusia zbulon modelin e saj të stacionit hapësinor - NACIONALE

Gati për t’i dhënë fund partneritetit me Perëndimin, Rusia zbulon modelin e saj të stacionit hapësinor

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Agjencia ruse hapësinore ka zbuluar një model fizik të asaj se si do të duket një stacion hapësinor i planifikuar i ndërtuar nga Rusia, duke sugjeruar se Moska është serioze për braktisjen e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) dhe për të vazhduar e vetme.

Pas vendosjes së sanksioneve nga Perëndimi, për shkak të luftës në Ukrainë, Rusa dëshiron të zvogëlojë varësinë e saj nga këto vende dhe të ecë vetë përpara apo të bashkëpunojë me vende të tjera si Kina dhe Irani.

Tani, në një ekspozitë ushtarako-industriale të hënën, Roscosmos ka prezantuar një model të stacionit hapësinor, të quajtur "Ross" nga media shtetërore ruse.

Yuri Borisov, të cilin presidenti Vladimir Putin e emëroi muajin e kaluar në krye të Roscosmos, ka thënë se Rusia do të largohet nga ISS pas vitit 2024 dhe po punon për të zhvilluar stacionin e saj orbital.

I lançuar në vitin 1998, ISS që nga nëntori i vitit 2000 ka qenë nën një partneritet të udhëhequr nga ShBA-ja dhe Rusia, ku përfshihen edhe Kanadaja, Japonia dhe 11 vende të tjera evropiane.

NASA, e cila dëshiron të mbajë ISS në funksion deri në vitin 2030, thotë se ende nuk ka marrë nga Moska konfirmimin zyrtar për tërheqjen e planifikuar të Rusisë.

Roscosmos ka thënë se stacioni i ri do t'u ofrojë kozmonautëve rusë një pamje shumë më të gjerë për të monitoruar Tokën sesa segmenti i tyre aktual.

U tha poashtu se megjithëse ekzistojnë projekte për disa nga stacionet, puna e projektimit është ende duke u zhvilluar në segmente të tjera.

Ndërsa, mediat shtetërore ruse kanë sugjeruar se nisja e fazës së parë është planifikuar për 2025-26 dhe jo më vonë se 2030, kurse nisja e fazës së dytë dhe përfundimtare është planifikuar për vitet 2030-35.

Ndërkohë, Dmitry Rogozin, kreu i mëparshëm i Roscosmos - i njohur për deklaratat e tij të ashpra kundër perëndimit, ka sugjeruar se stacioni i ri hapësinor mund të përmbushë edhe një qëllim ushtarak nëse është e nevojshme.

Lajme të ngjashme