Rusia ia dërgon Iranit një satelit në orbitën e Tokës
Rusia dërgoi një satelit iranian në orbitën e Tokës nga pjesa jugore e Kazakistanit të martën, vetëm tri javë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, dhe lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, u zotuan që të punonin së bashku kundër Perëndimit.
Sateliti “Khayyam”, i emërtuar sipas poetit dhe filozofit persian të shekullit XI, Omar Khayaam, u nis me raketën ruse “Soyuz” nga qendra Baikonur në Kazakistan në Kazakistan dhe hyri në orbitë me sukses, tha agjencia ruse e hapësirës.
Agjencia zyrtare e lajmeve në Iran, IRNA, raportoi se agjencia iraniane e hapësirës ka pranuar të dhënat e para telemetrike nga sateliti i dërguar në orbitë, shkruan agjencia "Reuters".
Teherani i ka mohuar pretendimet se ky satelit mund të përdorët nga Moska për t’i përforcuar kapacitetet e inteligjencës në Ukrainë, duke thënë se Irani do të ketë kontroll dhe operim të plotë ndaj satelitit që nga dita e parë.
Gazeta “The Washington Post” raportoi javën e kaluar se zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar nga rritja e bashkëpunimit në fushën e hapësirës mes Rusisë dhe Iranit, nga frika se sateliti jo vetëm që do ta ndihmojë Rusinë në Ukrainë, por gjithashtu do t’i ofrojë Iranit “aftësi të pashembullta” për t’i vëzhguar caqet e mundshme ushtarake në Izrael dhe në rajonin e Lindjes së Mesme.
Në anën tjetër, Irani thotë se sateliti është prodhuar për hulumtime shkencore përfshirë rrezatimin dhe vëzhgimin mjedisor për qëllime bujqësore, raporton agjencia “Reuters”.
Rusia është përpjekur që t’i thellojë marrëdhëniet me Iranin që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Në korrik, presidenti rus e vizitoi Iranin në vizitën e parë jashtë territorit të ish-Bashkimit Sovjetik që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Gjatë vizitës në Iran, Khamenei i tha presidentit rus se Teherani dhe Moska duhet të qëndrojnë vigjilentë kundër “dinakërisë perëndimore”.
Hapësira ka qenë njëra nga fushat ku Shtetet e Bashkuara dhe Rusia tradicionalisht kanë mbajtur lidhje të fuqishme dhe bashkëpunim pavarësisht nga tensionet gjeopolitike mes Uashingtonit dhe Moskës.
Agjencitë ruse e amerikane të hapësirës, “Roscosmos” e NASA, rishtazi nënshkruan një marrëeshje për t’i bartur astronautët e njëra-tjetrës për në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Sidoqoftë, Rusia ka paralajmëruar se do të tërhiqet nga ky stacion në të ardhmen./Nacionale