Putini dhe Erdogani së bashku në Iran, çfarë po diskutojnë liderët?
Në udhëtimin e tij të dytë jashtë vendit që nga nisja e pushtimit të Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin ka mbërritur të martën në Iran.
Raportohet se Putini do të takohet me liderin suprem të Iranit Ayatollah Ali Khamenei dhe presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.
BBC njofton se, lidhur me takimin një zyrtar turk ka deklaruar se temat kryesore për diskutim do të jenë Siria dhe Ukraina.
Kujtojmë se që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë, udhëheqësi rus ka kufizuar vizitat e tij ndërkombëtare në ish-shtetet sovjetike.
Në qershor, Putin bëri udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar ku vizitoi Taxhikistanin dhe Turkmenistanin, të dy ish-anëtare të BRSS, tani të udhëhequra nga sundimtarët autoritarë dhe aleatë rusë.
Ndërsa, vizita e sotme në Iran, i ofron Putinit mundësinë për të thelluar lidhjet me vendin, një nga pak aleatët ndërkombëtarë të mbetur të Moskë.
Udhëtimi i Putinit në Iran vjen pas akuzave të zyrtarëve amerikanë javën e kaluar se Teherani po planifikonte të furnizonte Rusinë me qindra dronë për luftën e saj në Ukrainë. Përveç kësaj vizite, të martën edhe gjigandi rus i energjisë Gazprom nënshkroi një marrëveshje të re zhvillimi me vlerë 40 milion dollarë me kompaninë shtetërore të naftës të Iranit.

Ndërkohë, njoftohet se udhëheqësi suprem i Iranit Ajatollah Ali Khamenei, përpara mbërritjes së Putinit është takuar me presidentin Erdogan.
Turqia dhe Rusia janë vende që në luftën civile siriane kanë mbështetur palët kunddërshtare dhe në muajt e fundit kanë qenë duke kërkuar mënyra për të reduktuar dhunën.
Megjithatë, ky takim vjen në mes të kërcënimeve turke për nisjen e një ofensive të re në veri të Sirisë kundër militantëve kurdë të mbështetur nga ShBA.
Ankaraja po ashtu ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Moskës që kur Putin filloi pushtimin e tij në Ukrainë më 24 shkurt, me qeverinë e Erdoganit që kërkon të luajë rolin e ndërmjetësit. E mendohet se ky takim mund t'i ofrojë një mundësi udhëheqësit turk që të përfundojë një marrëveshje tentative të arritur midis liderëve rusë dhe ukrainas për të siguruar eksportin e 22 milionë tonëve drithë të Ukrainës.
