Cilat janë zhvillimet kyçe rishtazi në luftën e Ukrainës
Forcat ruse e vazhduan bombardimin e qyteteve në pjesë të ndryshme të Ukrainës. Sulme pati në Sumy, në veri, bomba thërrmuese u hodhën në Mykolaiv, ndërsa në Odesa, në jug, pati sulm ajror, thanë të martën autoritetet ukrainase. Agjencia “Reuters” sjell një përmbledhje të zhvillimeve kryesore.
Luftimet
Të paktën katër persona u lënduan dhe disa shtëpi u dogjën plotësisht nga një sulm me raketa në Odesa. Në Mykolaiv, të paktën dy persona u lënduan dhe mbi 150 mina e predha u hodhën në rajonin Sumy, thanë autoritetet ukrainase.
Ukraina tha se trupat ruse u munduan pa sukses që të përparonin drejt qytetit Avdiyivka, në veri të Donetsk-ut, por u zmbrapsën pas luftimeve disaditore, duke pësuar humbje të rënda, me rreth 40 të vdekur.

Komandanti i ushtrisë ukrainase tha se sistemet raketore me rreze të gjatë veprimi, të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara, po e stabilizojnë situatën përmes sulmeve të konsiderueshme ndaj pikave të komandës së armikut, municionit dhe depove të karburanteve.
Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, i urdhëroi gjeneralët rusë që ta bëjnë prioritet shkatërrimin e armëve me rreze të gjatë e artilerisë së Ukrainës pas sulmeve në linjat ruse të furnizimit.
Ekonomia
Kompania ruse e gazit, “Gazprom”, u ka thënë klientëve në Evropë se nuk mund ta garantojë furnizimin me gaz për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme, sipas një letre të parë nga agjencia “Reuters”.
Një këshilltar i zyrës së presidentit ukrainas tha se aleatët e huaj duhet që ta rrisin përkrahjen financiare për Ukrainën për ta ndihmuar vendin që ta mbajë stabilitetin financiar gjatë luftës me Rusinë.

Disa zyrtarë nga Rusia, Ukraina, Turqia dhe Kombet e Bashkuara pritet të takohen këtë javë për ta diskutuar vazhdimin e eksportimit të drithërave të Ukrainës përmes Detit të Zi, tha ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar.
Diplomacia
Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së janë pajtuar për ndarjen e 500 milionë eurove shtesë për furnizimin e Ukrainës me arkë, duke e çuar në 2.5 miliardë euro shifrën e përgjithshme të ndihmave të Bashkimit Evropian për këtë shtet që nga fillimi i luftës.
Në udhëtimin e parë jashtë vendit që nga lufta në Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin, arriti në Iran për një samit me homologët nga Turqia e Irani. Temë diskutimi do të jetë konflikti në Siri, raportoi të martën televizioni shtetëror iranian.