Forcat iraniane qëllojnë mbi protestuesit, raportohet edhe për dy të vrarë
Ndërsa demonstratat në Iran kanë marrë vrull, është raportuar se forcat iraniane të sigurisë kanë qëlluar mbi protestuesit si dhe kanë përdorur gaz lotsjellës në qytetet kurde të Sanandaj dhe Saqez.
Sipas grupit iranian të të drejtave të njeriut Hengaw, forcat e sigurisë në Sanandaj kanë qëlluar duke vrarë një shofer që ishte në makinën e tij, ndërsa në një shkollë në Saqez kanë plagposur dy mësues.
Hengaw tha se forcat e sigurisë kanë qëlluar edhe një protestes tjetër duke e lënë të vrarë.
“Nxënësit në shkollat në Sanandaj dhe Saqqez nisën protestat. Pastaj forcat qeveritare filluan një sulm në një nga shkollat në Saqez," ka treguar Azhin Sheikhi, nga Hengaw për CNN.
Henagaw thotë se, protesta të mëdha janë duke u zhvilluar në Saqez, Diwandareh, Mahabad dhe Sanandaj.
Organizata e regjistruar në Norvegji ka monitoruar shkeljet e të drejtave të njeriut në rajonin kurd të Iranit, që kur protestat filluan tre javë më parë, pas vdekjes së Mahsa Amini, një gruaje kurde iraniane, ndërsa ishte në paraburgim nga policia e moralit. Saqezi ishte edhe vendlindja e saj.
Ndërkohë, të shtunën protestat kanë vazhduar edhe në vende të tjera në të gjithë vendin, duke përfshirë Teheranin, Karaj, Esfahan, Shiraz, Kerman, Mashhad, Tabriz dhe Rasht.
Duke folur në Universitetin Alzahra, një institucion vetëm për vajza në Teheran, presidenti iranian Ebrahim Raisi komentoi trazirat e fundit në të gjithë vendin.
“Armiku mendoi se mund të ndiqnin dëshirat e tyre brenda universitetit, pa e ditur se studentët dhe profesorët tanë ishin zgjuar dhe nuk do të lejonin që ëndrrat e rreme të armikut të realizoheshin”, është shprehur Raisi sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e tij.
Ndërsa, video që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë protesta në të njëjtin universitet me gra që thërrisnin "Vdekje shtypësit, qoftë Shahu apo Udhëheqësi Suprem".
Shifrat e numrit total të vdekjeve që nga nisja e protestave ndryshojnë nga qeveria, grupet opozitare, organizatat ndërkombëtare të të drejtave dhe gazetarët vendas.
Një grup i të drejtave të njeriut i fokusuar në Iran, me bazë në Norvegji, IranHR, numëroi numrin e vdekjeve që nga fillimi i protestave në të gjithë Iranin në 154. Human Rights Watch tha që nga 31 shtatori, media e lidhur me shtetin iranian thotë se numri i viktimave është 60.
Megjithatë, është e pamundur që shifrat të verifikohen saktë nga dikush jashtë qeverisë iraniane.


