Trazirat në Iran: Gratë djegin shamitë në protesta kundër hixhabit - NACIONALE

Trazirat në Iran: Gratë djegin shamitë në protesta kundër hixhabit

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Në një përshkallëzim të fundit në Iran, të shkaktuar nga vdekja në paraburgim e një gruaje të arrestuar për shkelje të ligjeve të hixhabit, gratë kanë qenë në ballë të prostestave tani e pesë ditë.

E në ditën e pestë radhazi të trazirave në vend, BBC raporton se turma e mbledhur ka mbështetur duke brohoritur gratë që dogjën hixhabet e tyre në zjarr.

Ndërsa aktivistët kanë thënë se në mesin e tre protestuesëve të vrarë ishte edhe një grua, autoritetet kanë akuzuar protestuesit për vrasjen e dy civilëve në Kermanshah si dhe një ndihmës policie në Shiraz.

Që nga nisja e protestave pas vdekjes së Mahsa Amini, raportohet se në vend janë vrarë të paktën shtatë persona. Gruaja kurde, 22-vjeçare nga qyteti veriperëndimor i Saqezit vdiq në spital të premten, pasi kaloi tre ditë në koma.

Ajo ishte me vëllain e saj në Teheran kur u arrestua nga policia e moralit, e cila e akuzoi për shkelje të ligjit që u kërkon grave të mbulojnë flokët me hixhab ose shami dhe krahët dhe këmbët me veshje të gjera.

Lidhur me vdekjen e saj komisionerja e lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Nada al-Nashif ka thënë se ka pranuar raporte që policia e ka goditur me shkop në kokë zonjën Amini.

Por këto pretendime janë mohuar nga policia e vendit, duke thënë se ajo kishte pësuar një "insuficiencë të papritur të zemrës".

"Vdekja tragjike e Mahsa Amini dhe pretendimet për torturë dhe keqtrajtim duhet të hetohen menjëherë, në mënyrë të paanshme dhe efektive nga një autoritet kompetent i pavarur, që siguron, në veçanti, që familja e saj të ketë akses në drejtësi dhe të vërtetë," është shprehur Nashif.

Ajo vuri në dukje se OKB-ja kishte marrë "video të shumta dhe të verifikuara të trajtimit të dhunshëm të grave" pasi policia e moralit zgjeroi patrullat e saj në rrugë gjatë muajve të fundit për të goditur ata që perceptoheshin se mbanin "hixhab të lirë".

"Autoritetet duhet të ndalojnë shënjestrimin, ngacmimin dhe ndalimin e grave që nuk respektojnë rregullat e hixhabit," shtoi ajo, duke bërë thirrje për shfuqizimin e tyre.

Cilat janë ligjet e Iranit për hixhabin?

Pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, autoritetet në Iran vendosën një kod veshjeje të detyrueshme që kërkon që të gjitha gratë të mbajnë shami dhe veshje të gjera që maskojnë figurat e tyre në publik.

Policia e moralit - e njohur zyrtarisht si "Gasht-e Ershad" (patrulla udhëzuese) - ka për detyrë, ndër të tjera, të sigurojë që gratë të jenë në përputhje me interpretimin e autoriteteve për veshjet "e duhura". Oficerët kanë fuqinë të ndalojnë gratë dhe të vlerësojnë nëse ato shfaqin shumë flokë; pantallonat dhe pardesytë e tyre janë shumë të shkurtra ose të ngushta; ose janë të grimuar shumë. Dënimet për shkeljen e rregullave përfshijnë gjobë, burg ose fshikullim.

Në vitin 2014, gratë iraniane filluan të shpërndanin foto dhe video të tyre duke shkelur publikisht ligjet e hixhabit si pjesë e një fushate proteste në internet të quajtur "Liria ime e fshehtë". Që atëherë ka frymëzuar lëvizje të tjera, duke përfshirë "Të Mërkurat e Bardha" dhe "Vajzat e Rrugës së Revolucionit".

Lajme të ngjashme