Edhe Britania i mpreh kritikat ndaj Izraelit, Sunaku me porosinë më të fortë deri më tani - NACIONALE

Edhe Britania i mpreh kritikat ndaj Izraelit, Sunaku me porosinë më të fortë deri më tani

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Fuqitë perëndimore janë gjithnjë më të shqetësuara nga rritja e vazhdueshme e numrit të viktimave në Gaza. Shtetet e Bashkuara, Franca e tani edhe Britania e kanë shprehur haptazi këtë shqetësim.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, ende nuk ka bërë thirrje për armëpushim, por fjalimi i tij në një ceremoni të hënën u bëri jehonë paralajmërimeve të ShBA-së se tepër shumë palestinezë po e humbin jetën, raporton televizioni BBC.

Udhëheqësi i qeverisë britanike tha se Izraeli duhet të ketë të mundur që ta mbrojë veten dhe t’i sjellë pengjet në shtëpi, por gjithashtu duhet të veprojë brenda së drejtës ndërkombëtare, t’i ndërmarrë të gjitha masat për mbrojtjen e civilëve të pafajshëm – përfshirë ata në spitale – dhe ta ndalë dhunën ekstremiste në Bregun Perëndimor.

Ai gjithashtu bëri thirrje për pauza humanitare urgjente e përmbajtësore në luftime dhe premtoi se do t’i shtojë përpjekjet etij për të kërkuar zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, diçka për të cilën tha se do ta përfshijë punë shtesë për ta ndihmuar Autoritetin Palestinez.

Sunaku tha se presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, ia kishte përshkruar “vuajtjen e tmerrshme të popullit palestinez”. “Tepër shumë civilë po e humbin jetën”- shtoi ai.

Kryeministri britanik theksoi se për këtë arsye, Mbretëria e Bashkuara “e ka dyfishuar ndihmën tonë ndaj Gazës dhe prandaj ne vazhdojmë që të bëjmë shtytje – edhe në OKB, edhe drejtpërdrejt me Izraelin – për qasje të papenguar humanitare dhe pauza humanitare urgjente e përmbajtësore”.

Korrespondenti diplomatik i BBC-së, James Landale, thotë se kjo është porosia më e fortë e Sunakut për Izraelin deri më tani dhe një shenjë se mbështetja ndërkombëtare po zbutet gjithnjë nga thirrjet për përmbajtje.

Lajme të ngjashme