Pas Francës, edhe ShBA-ja i rëndon kritikat ndaj Izraelit: Janë vrarë tepër shumë palestinezë - NACIONALE

Pas Francës, edhe ShBA-ja i rëndon kritikat ndaj Izraelit: Janë vrarë tepër shumë palestinezë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Izraeli është duke u ballafaquar me rritje të presionit ndërkombëtar, përfshirë atë nga aleatja kryesore e tij, ShBA-ja, për të bërë më shumë për t’i mbrojtur civilët palestinezë në Gaza, përderisa numri i viktimave po rritet e luftimet u shpeshtuan afër spitaleve, raporton agjencia “Reuters”.

Numri i palestinezëve të vrarë gjatë bombardimit të enklavës bregdetare gjatë pesë javëve të fundit shkoi në mbi 11 mijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë në Gaza, përderisa forcat izraelite i vazhduan luftimet kundër militantëve të Hamasit, të cilët kryen një sulm vdekjeprurës në jug të Izraelit më 7 tetor.

Në komentet e tij më të fuqishme deri më tani rreth gjendjes së vështirë të civilëve që po qëllojnë mes të shtënave, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, para gazetarëve gjatë vizitës në Indi të premten tha: “Tepër shumë palestinezë janë vrarë, tepër shumë kanë vuajtur gjatë këtyre javëve të fundit.”

Megjithatë, kryediplomati amerikan e theksoi përsëri përkrahjen për fushatën e Izraelit për t’u siguruar që Gaza të mos mund të përdoret më “si platformë për nisjen e terrorizmit”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, në një intervistë me televizionin BBC, që u publikua të premten vonë, tha se Izraeli duhet ta ndërpresë vrasjen e civilëve përmes bombardimit të Gazës. Ai shtoi se Franca “i dënon qartazi” veprimet “terroriste” të Hamasit dhe e njeh të drejtën e Izraelit për ta mbrojtur veten.

Si kundërpërgjigje, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se udhëheqësit botërorë duhet ta dënojnë Hamasin, jo Izraelin. “Këto krime që Hamasi po i kryen sot në Gaza do të kryhen nesër në Paris, Nju-Jork e kudo tjetër në botë”- tha ai.

Ndërkohë, të shtunën në Arabinë Saudite po zhvillohet një samit i jashtëzakonshëm i vendeve arabe dhe Iranit. Para nisjes për në Riad, presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, tha: “Gaza nuk është arenë për fjalë. Duhet të jetë [arenë] për vepra. Sot, uniteti i shteteve islame është shumë i rëndësishëm.”

Në Gaza, drejtori i spitalit “Al Shifa”, Mohammad Abu Selmeyah, tha: “Izraeli tani po nis një luftë ndaj spitaleve të qytetit Gaza.”

Sipas tij, të paktën 25 persona u vranë nga sulmet izraelite në shkollën “Al-Buraq” në qytetin Gaza, ku ishin strehuar njerëzit që u ishin shkatërruar shtëpitë.

Lajme të ngjashme