E lodhur nga lufta, Ukraina përgatitet për një dimër tjetër COVID
Pacientët dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor në Ukrainë vazhdimisht janë duke u përballur me një numër në rritje të sulmeve ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor.
Lufta është në muajin e saj të gjashtë dhe nuk tregon shenja përfundimi, me Rusinë që tani ka pushtuar rreth një të pestën e territorit të vendit. Deri më tani konflikti në vend ka çuar mbi 6 milionë refugjatë në vende të tjera evropiane dhe 6 milionë të tjerë të zhvendosur brenda vendit.
Por, në terren një ushtri e stafit po lufton lodhjen për të ruajtur shërbimet shëndetësore pavarësisht dhunës dhe sulmeve të vazhdueshme ndaj kujdesit shëndetësor - të gjitha gjatë një pandemie.
“Linja e frontit po ecën përpara, ekipi im në lindje po sheh pothuajse çdo ditë granatime jashtë dritares. Ata janë duke punuar 24/7 për gjashtë muajt e fundit, po lodhen dhe situata nuk po përmirësohet”, është shprehur për POLITICO Heather Papowitz, koordinatore e urgjencës për reagimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Ukrainë.
Sipas sistemit të mbikëqyrjes së OBSH-së, që nga 24 shkurti, ka pasur 414 sulme ndaj kujdesit shëndetësor në Ukrainë, duke rezultuar në 85 të vdekur. Ndërsa në botë, brenda vitit ka pasur gjithsej 595 sulme ndaj kujdesit shëndetësor.
"Është thjesht një shumë e pabesueshme," thotë Papowitz nga Kopenhaga, pas kthimit nga Ukraina.
E ndërkohë stafi i vendit po bën gjithçka që mundet për të shmangur spektrin e afërt të një rritjeje të vjeshtës dhe dimrit me rastet e COVID-19.
Ashtu si në pjesën më të madhe të botës, testimi për COVID-19 në Ukrainë është ulur ndjeshëm, dhe në një kohë lufte urgjenca e pandemisë është larguar nga lista e shqetësimeve të shumë njerëzve.
Strategjitë e përballimit
Ndërprerja e testimit dhe trajtimit të luftës, e shoqëruar nga normat e ulëta të vaksinimit për COVID - rreth 36 përqind me një dozë – për më të cenuarit rrit rrezikun e sëmundjeve të rënda dhe vdekjes.
E për Ukrainën rritja e rasteve me koronavirus nuk është shumë e panjohur.
Në muajin shkurt, mbi 31,000 pacientë të dyshuar dhe konfirmuar ishin në spital me COVID-19, ndërsa gjatë valës së mëparshme nëntorin e kaluar kjo shifër kishte arritur në më shumë se 53,000. E tani, megjithëse shtrimet në spital janë aktualisht më të ulëta - në rreth 1,000, sipas një gjurmuesi të ministrisë së shëndetësisë - ekziston shqetësimi se stresi në shërbimet shëndetësore do ta bënte më të vështirë përballimin e një rritjeje tjetër.
Që nga janari 2020, Ukraina ka regjistruar më shumë se 5 milionë raste të konfirmuara të COVID, me mbi 108,000 vdekje të raportuara në OBSH.
Por, Papowitz, ka treguar se çfarëdo që të vijë, ata në terren duan të jenë gati. Ata kanë ndihmuar në rregullimin e një fabrike oksigjeni dhe kanë grumbulluar materiale të tjera si përqendruesit e oksigjenit dhe pajisjet mbrojtëse personale.
Ajo ka bërë të ditur se ata gjithashtu janë duke kërkuar të zgjerojnë kapacitetin e shërbimeve shëndetësore të vendit për të trajtuar pacientët me COVID dhe sëmundje të tjera.
Ukraina ka norma të ulëta të imunizimit për të gjitha sëmundjet e parandalueshme me vaksina, kështu që përveç COVID, mbetet frika e një shpërthimi të fruthit dimëror, bashkë me shqetësimet për mundësinë e rasteve me grip.
Përgatitjet aktuale - dhe përgatitjet për muajt në vijim - po ndodhin të gjitha pasi një numër punonjësish të kujdesit shëndetësor janë larguar nga Donbasi i kontestuar në lindje dhe rajone të tjera të goditura rëndë.
E ata që janë ende në terren do të duhet të përballen me më pak mbështetje dhe rreziqe më të mëdha shëndetësore.
“Unë kam qenë mjeke në disa situata serioze të rrezikshme,” tha Papowitz, e cila është mjeke e mjekësisë së brendshme dhe shëndetit publik dhe ka punuar në vende si Kosova gjatë luftës dhe në mes të luftërave të bandave në Çikago.
"Unë as nuk mund ta imagjinoj se si ndihen pas gjithë kësaj kohe, duke punuar në këtë kontekst."


