E çuditshme: Shqipëria bënte rezolutë për Ukrainën, por s’e mbështet armëpushimin në Gaza
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të premten miratoi me shumicë votash një rezolutë që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Sidoqoftë, Shqipëria dhe disa vende të tjera nuk e mbështetën këtë thirrje.
Përmes kësaj rezolute bëhet thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza, lirimin e të gjithë civilëve, mbrojtjen e civilëve dhe të institucioneve ndërkombëtare si dhe sigurimin e kalimit të sigurt të ndihmave në Rripin e Gazës, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Kjo rezolutë nuk është ligjërisht e detyrueshme, por e thekson mbështetjen dërrmuese ndërkombëtare për palestinezët në kohën e fushatës ushtarake izraelite si kundërpërgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor, thekson gazeta izraelite.
Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme u përkrah nga 120 shtete, vetëm 14 shtete ishin kundër saj, ndërsa 45 të tjera abstenuan, përfshirë Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Shtetet e Bashkuara, Izraeli e disa vende të tjera
Izraeli i ka refuzuar thirrjet për armëpushim në Gaza, duke thënë se është i përkushtuar për ta përmbysur Hamasin për të parandaluar ndonjë sulm tjetër masiv si ai para tri javëve, kur më shumë se 1.400 njerëz u vranë. Militantët palestinezë kanë marrë edhe rreth 230 pengje – kryesisht civile – dhe deri më tani i kanë liruar vetëm katër.
Edhe Shtetet e Bashkuara i kanë refuzuar thirrjet për armëpushim në Gaza, duke sugjeruar se një veprim i tillë do të përbënte fitore për Hamasin. Megjithatë, Uashingtoni ka filluar që të sugjerojë se pauzat humanitare mund të shqyrtohen për ta lejuar hyrjen e ndihmave në Gaza dhe për ta siguruar lëvizjen e sigurt të civilëve që mundohen të ikin nga zonat që po bombardohen nga ushtria izraelite.
Izraeli këmbëngul se është duke i vënë në shënjestër vetëm militantët dhe infrastrukturën e Hamasit, por shumë civilë besohet se janë në mesin e të vrarëve. Ministria e Shëndetësisë në Gaza pretendon se numri i viktimave ka shkuar në mbi 7 mijë, por kjo shifër nuk mund të vërtetohet në mënyrë të pavarur.
Më 25 shkurt 2022, vetëm një ditë pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Federata Ruse, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kishin paraqitur njëdraft-rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së me të cilën synohej që të kërkohej përfundimi i ofensivës ushtarake ruse kundër Kievit. Drafti ishte mbështetur nga 11 shtete anëtare të Këshillit të Sigurimit, por ishte bllokuar me veto nga Rusia. Kina, India dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kishin abstenuar.
