Drejtori i spitaleve në Gaza: Tanket izraelite janë brenda kompleksit, pacientët janë tmerruar
Drejtori i spitaleve në Gaza, Mohammed Zaqout, tha se tanket izraelite ndodhen brenda kompleksit mjekësor dhe se ushtarët kanë hyrë në objekte, përfshirë departamentet e urgjencës dhe operacioneve, ku ndodhen repartet për kujdes intensiv.
Agjencia e lajmeve “Associated Press” bisedoi përmes telefonit me këtë zyrtar palestinez, por nuk qe e qartë nëse ai po fliste nga hapësira e brendshme e kompleksit.
“Forcat pushtuese ua mësynë ndërtesave”- tha Zaqout-i përmes telefonit. Sipas tij, pacientët, përfshirë fëmijët, janë të tmerruar.
“Ata po bërtasin. Është situatë shumë tmerruese... Nuk mund të bëjmë asgjë për pacientët, pos të lutemi”- shtoi ai.
Ushtria izraelite tha se ishte duke kryer “një operacion preciz e me shënjestër kundër Hamasit në një zonë specifike në spitalin “Shifa”. Në njoftim thuhet se ushtarët ishin të shoqëruar nga ekipet mjekësore dhe kishin dërguar ushqim për foshnja, furnizime mjekësore, inkubatorë e pajisje të tjera.
Izraeli pretendon se Hamasi ka një qendër masive të komandës brenda këtij spitali dhe nën të, por nuk ka ofruar dëshmi pamore për këtë vlerësim. Në anën tjetër, Hamasi dhe stafi i spitalit vazhdimisht e kanë mohuar këtë pretendim.
Sidoqoftë, disa orë para bastisjes nga forcat izraelite, Shtetet e Bashkuara thanë se kishin të dhëna të inteligjencës që sugjeronin se Hamasi i ka përdorur spitalin “Al-Shifa” dhe spitale të tjera si dhe tunelet nën to për t’i mbështetur operacionet ushtarake dhe për të mbajtur pengje.

