Disa të armatosur vrasin 29 njerëz në Nigeri
Disa persona të armatosur vranë të paktën 29 njerëz gjatë një sulmi në shtetin Adamawa të Nigerisë, tha të hënën guvernatori shtetëror.
Sulmuesit u futën në komunitet të dielën vonë dhe kryen të shtëna sporadike për disa orë, duke vrarë banorë e duke i shkatërruar pronat, sipas zyrtarëve lokalë dhe udhëheqësve të komunitetit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Guvernatori Ahmadu Umaru Fintiri e konfirmoi numrin e të vrarëve gjatë një vizite në komunitetin Guyaku, në zonën lokale qeverisëse Gombi, ku u shprehu ngushëllime familjeve të prekura, ndërsa incidentin e përshkroi si tragjik dhe të papranueshëm.
Ai tha se qeveria shtetërore ishte duke punuar me agjencitë e sigurisë për të parandaluar sulme të tjera dhe për ta kthyer normalitetin.
Motivi prapa sulmit nuk dihet. Megjithatë, ky shtet nigerian viteve të fundit është ballafaquar me sulme të përsëritura nga kryengritësit e grupit Boko Haram, përfshirë grupet e armatosura dhe bandat kriminale, duke ndikuar në shtim të pasigurisë në komunitete të tëra rurale në rajon.