Dhuna mes bandave në Haiti, 209 të vrarë brenda dhjetë ditëve - NACIONALE

Dhuna mes bandave në Haiti, 209 të vrarë brenda dhjetë ditëve

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Shifrat e Kombeve të Bashkuara tregojnë se dhuna mes bandave në Haiti, ka lënë të vrarë mbi 200 persona brenda dhjetë ditëve.

OKB njoftoi se gjysma e të vdekurve ishin banorë të thjeshtë pa ndonjë lidhje me bandat të cilat janë në luftë për të fituar kontrollin e një lagjeje.

Ndërkohë, BBC raporton se dhuna ka bërë që situata në vend të rëndohet edhe ekonomikisht, me vendasit që thonë se kanë mbetur pa ujë dhe ushqim për shkak të ndalimit të dërgesave nga të shtënat e vazhdueshme.

Që nga vrasja e Presidentit Jovenel Moïse nga mercenarët një vit më parë, dhuna e bandave në Haiti është rritur shumë, por që nga 8 korriku dhuna ka arritur nivele të reja tronditëse nga një betejë që ka shpërthyer midis dy grupeve kriminale, të njohura se G9 dhe G-Pep.

OKB thotë se 209 njerëz janë vrarë midis 8 dhe 17 korrikut, nga të cilët 114 ishin anëtarë të bandës. Ndërsa, njofton se edhe 254 persona të tjerë kanë pësuar plagë me armë zjarri.

Një udhëheqës i të rinjve nga Bruklini, zona brenda lagjes së madhe Cité Soleil e cila është goditur më së rëndi nga luftimet, e ka përshkruar se si jeta e tij ka ndryshuar.

"Shkoj në shtrat dhe zgjohem nga zhurma e armëve, e cila është shumë stresuese. Por edhe nëse të shtënat më tmerrojnë, përpiqem të përdor tingujt ritmikë të plumbave për të më zënë gjumë; kjo është e vetmja mënyrë për të mund të mbijetuar”, i tha i riu OKB-së.

Shkak i kësaj dhune, rreth 3000 banorë janë detyruar të largohen nga vendi, e shumë nga ta nuk do të kenë më mundësi të kthehen pasi shtëpitë u janë djegur ose shkatërruar nga bandat.

Në lagje kanë mbetur edhe shumë banorë të tjerë të bllokuar, pasi nuk guxojnë të largohen nga shtëpitë nga frika se mund të vriten nga plumbat endacakë.

Me ndërprerjen e furnizimit me karburant, ushqim dhe ujë të pijshëm, Programi Botëror i Ushqimit dhe Fondi i OKB-së për Fëmijët kanë filluar të dërgojnë ndihma direkte për njerëzit më të rrezikuar në Cité Soleil. Ndërsa, është njoftuar se qindra fëmijë janë strehuar në një shkollë të mesme në kryeqytet.

Udhëheqësi i të rinjve nga Cité Soleil tha se shpresonte se dhuna do të ndalonte në mënyrë që ai të mund të kthehej në punën e tij duke bashkuar të rinj nga zonat e kontrolluara nga bandat rivale për të zhvilluar aktivitete së bashku.

Lajme të ngjashme