Rrëmbehen 17 turistë në Haiti, mes tyre tetë turq - NACIONALE

Rrëmbehen 17 turistë në Haiti, mes tyre tetë turq

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një bandë haitiane e famshme për rrëmbime për shpërblim ka rrëmbyer të paktën 17 persona nga një autobus turistik me të cilin po udhëtonin.

Sipas BBC, tetë nga pasagjerët thuhet se janë shtetas turq, tetë të tjerët janë nga Haiti dhe shoferi është nga Republika Domenikane. Ata u rrëmbyen në të njëjtën zonë jashtë kryeqytetit, Port-au-Prince, në të cilën ishte rrëmbyer edhe një diplomat dominikan muajin e kaluar.

Gazeta domenikane El Día i përshkroi shtetasit turq si "misionarë" të cilët kishin kaluar në Haiti nga Republikën Domenikane fqinje.

Mediat haitiane thanë se ata u kapën në Croix-des Bouquets, nga bastioni i bandës 400 Mawozo.

Në dy vitet e fundit, rrëmbimet për shpërblim në Haiti janë rritur. Sipas Qendrës së Haitit për Analizë dhe Kërkim mbi të Drejtat e Njeriut, vetëm vitin e kaluar ishin rrëmbyer më shumë se 1,200 persona –mes tyre 81 shtetas të huaj.

Midis të huajve të rrëmbyer vitin e kaluar ishin 17 misionarë të krishterë nga ShBA dhe Kanada, dhe banda 400 Maëozo kërkoi 1 milion dollarë për lirimin e secilit prej tyre. Më në fund, misionarët ishin liruar të gjithë pas katër muajsh në robëri, por nuk është e qartë nëse është paguar ndonjë shpërblim.

Por ndërsa rrëmbimet e të huajve kanë hedhur në qendër të vëmendjes fuqinë e bandave të Haitit, janë vetë haitianët ata që po ndiejnë peshën kryesore të dhunës.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, Unicef, tha javën e kaluar se gjysmë milioni fëmijë kanë humbur aksesin në arsim pasi 1700 shkolla janë mbyllur në kryeqytet dhe zonën përreth për shkak të të shtënave nga bandat.

"Asnjë fëmijë nuk mund të shkojë në shkollë ndërsa plumbat fluturojnë në ajër," është shprehur përfaqësuesi i Unicef ​​në Haiti, Bruno Maes.

Rritja e dhunës pason vrasjen e Presidentit Jovenel Moïse në korrik 2021 nga mercenarët, ndërsa fraksionet rivale luftojnë për të fituar kontrollin e vendit përballë një force policie në vështirësi.

Lajme të ngjashme