Bideni bën paraqitje të dobët, Trumpi me të pavërteta – pati edhe fyerje personale
Presidenti amerikan, Joe Biden, bëri një paraqitje të lëkundur, ndërsa rivali Donald Trump e sulmoi atë me një varg sulmesh që shpesh përmbanin të pavërteta gjatë debatit mes tyre të enjten. Dy kandidatët më të moshuar presidencialë në histori të ShBA-së shkëmbyen edhe fyerje personale para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Bideni dhe Trumpi e kritikuan njëri-tjetrin rreth abortit, migracionit, luftërave në Ukrainë e Gaza, menaxhimin e ekonomisë dhe madje edhe lojërat e tyre të golfit, raporton agjencia “Reuters”, përcjell gazeta "Nacionale".
Dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se Bideni ishte i ftohur. Sidoqoftë, performanca e tij e dobët i shqetësoi demokratët dhe me gjasë do t’i thellojë shqetësimet se 81-vjeçari është tepër i moshuar për të shërbyer në një mandat tjetër 4-vjeçar.
Një donator i rëndësishëm i Bidenit, i cili nuk deshi të identifikohej, përderisa e kritikonte presidentin, e quajti performancën e tij “diskualifikuese” dhe tha se pret një valë të re thirrjesh që Bideni të tërhiqet nga gara para konventës kombëtare të Partisë Demokratike në gusht.
Nënpresidentja Kamala harris, duke u paraqitur në televizionin CNN pas debatit, e pranoi atë që ajo e quajti “fillim të ngadalshëm”, por argumentoi se votuesit duhet t’i gjykojnë presidentin dhe Trumpin duke u mbështetur në mandatet e tyre në pushtet.
Bideni kishte ngecje gjatë shqiptimit të fjalëve në disa raste gjatë debatit 90-minutësh, por e mori veten në gjysmë të rrugës, kur e sulmoi me fjalë Trumpin për dënimin nga gjykata për fshehjen e pagesave për një aktore të filmave për të rritur.
Si kundërpërgjigje, Trumpi e përmendi dënimin e djalit të Bidenit, Hunter, për gënjeshtrën rreth përdorimit të drogës për të blerë një armë.
Disa çaste më vonë, Bideni theksoi se gati të gjithë ish-anëtarët e kabinetit të Trumpit, përfshirë nënpresidentin Mike Pence, nuk kanë dalë në mbështetje të fushatës së bashkëpartiakut republikan.
“Ata e njohin mirë, kanë shërbyer me të. Pse nuk po i dalin krah” – pyeti presidenti, duke iu referuar Trumpit.
Në anën tjetër, republikani lëshoi një varg kritikash, shumë prej të cilave ishin gënjeshtra që i ka përsëritur për kohë të gjatë, përfshirë pretendimet se emigrantët kanë kryer një valë krimesh, që demokratët e përkrahin vrasjen e foshnjave dhe se ai në të vërtetë i kishte fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
“Qartazi, faktori më i madh është që Bideni prapë u duk i moshuar dhe i vrullshëm e më pak koherent se kur kishte garuar për herë të fundit” – tha MAtt Grossmann, profesor i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Michigan-it. “Nuk mendoj se Trumpi vërtet bëri ndonjë gjë për ta ndihmuar veten përtej përkrahësve të tij ekzistues, por mendoj se është i eklipsuar nga përshtytjet e njerëzve të Bidenit për dobësinë e tij më të madhe” – shtoi ai.
Kur u pyet për sulmin e 6 janarit të vitit 2021 ndaj Capitol-it nga një turmë e mbështetësve të Trumpit, ish-presidenti refuzoi që të pranonte ndonjë përgjegjësi dhe pretendoi se shumë prej të arrestuarve ishin të pafajshëm.
“Ky djalë nuk e kupton demokracinë amerikane” – reagoi Bideni.
Presidenti i tanishëm gjithashtu e fajësoi Trumpin për heqjen e së drejtës gjithëkombëtare për abort duke emëruar konservatorë në Gjykatën Supreme të ShBA-së.
Trumpi u kundërpërgjigj, duke thënë se Bideni nuk do të përkrahë asnjë kufizim ndaj abortit dhe tha se kthimi i çështjes te shtetet amerikane është rrjedhja e duhur e veprimit.
Fyerjet
Bideni dhe Trumpi e cilësuan njëri-tjetrin si presidentin më të keq në histori të ShBA-së. Bideni e quajti Trumpin “humbës” dhe “ankues”, ndërsa Trumpi e quajti Bidenin “humbës”. Ata nuk i shtrënguan duart as para, as pas debatit.
Në një moment, u grindën edhe për lojërat e golfit. Trumpi u mburr se e kishte gjuajtur topin më larg se Bideni, ndërsa presidenti u kundërpërgjigj, duke thënë se republikani do të kishte vështirësi për ta bartur çantën e vet të golfit./Nacionale