BE-ja ndan 303 milionë euro për Federatën Boshnjako-Kroate, Republika Serbe e Dodikut “me gishta në gojë”
Bashkimi Evropian e ka miratuar ndarjen e 303 milionë eurove grante për projektet e infrastrukturës në Bosnjë, por të gjitha këto mjete do t’i jepen Federatës Boshnjako-Kroate e asnjë pjesë Republikës Serbe.
Këto grante, që janë pjesë e pakos investuese prej 2,1 miliardë eurosh të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, do të përdoren si asistencë për disa projekte, përfshirë ndërtimin e dy sektorëve të një autostrade panevropiane veri – jug, që e lidh Budapestin me portin kroat, Ploce, raporton agjencia “Reuters”.
Në mesin e projekteve të tjera që do të mbështeten me këto fonde janë përmirësimi i furnizimit me ujë në Sarajevë dhe riparimin e një hidrocentrali, thanë zyrtarët e BE-së.
Të katër projektet e kanë bazën në Federatën Boshnjako-Kroate e jo në Republikën Serbe.
Bashkimi Evropian e ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur nacionalistin Milorad Dodik, udhëheqës i Republikës Serbe, që t’i ndërpresë retorikën për ndarje dhe lëvizjet që e minojnë shtetin boshnjak, por ende nuk i ka vendosur sanksione.
Askush nga delegacioni i BE-së në Bosnjë nuk qe menjëherë i qasshëm për të komentuar se pse asnjë projekt nga Republika Serbe nuk është miratuar për financim.
Fondet e njoftuara të martën përbëjnë më shumë se gjysmën e 528 milionë eurove të miratuara për rajonin në formë të granteve nga instrumenti i BE-së për asistencë, bashkë me kontributet shtesë nga shtetet anëtare të BE-së dhe Norvegjisë si dhe huat nga institucionet financiare ndërkombëtare.
