BE-ja dhe Britania premtojnë 750 milionë dollarë ndihma për krizën në Sudan - NACIONALE

BE-ja dhe Britania premtojnë 750 milionë dollarë ndihma për krizën në Sudan

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe u zotuan të martën për shtimin e ndihmave për Sudanin, para një konference në Londër për ta shënuar dyvjetorin e fillimit të një konflikti që e shkatërruar vendin dhe ka shkaktuar zhvendosje të miliona njerëzve.

Britania tha se qëllimi i kësaj konference është përmirësimi i koherencës së reagimit ndërkombëtar ndaj krizës, edhe pse Qeveria e Sudanit e kritikoi organizimin, pasi asnjë përfaqësues i asnjërës palë të konfliktit nuk u ftua në të, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Lufta në Sudan shpërtheu në prill të vitit 2023, e nxitur nga synimi për pushtet mes ushtrisë sudaneze dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë, duke e rrënuar shpresën për tranzicion drejt pushtetit civil.

Dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë, miliona të tjerë janë zhvendosur, ndërsa disa rajone si Darfuri janë shkatërruar. Konflikti gjithashtu ka tërhequr disa fuqi të huaja.

Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të bllokut u zotuan për ndarjen e 592 milionë dollarëve për ta adresuar krizën në Sudan, ndërsa Britania njoftoi 158 milionë dollarë shtesë për ndihma.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Lamy, tha se komuniteti ndërkombëtar duhet t’i bindë palët ndërluftuese që t’i mbrojnë civilët dhe ta lejojnë hyrjen e ndihmave dhe se shpreson që konferenca e Londrës do t’i vendosë parimet për angazhime në të ardhmen.

Britania po e organizon konferencën në bashkëpunim me Unionin Afrikan, Bashkimin Evropian, Francën dhe Gjermaninë. Në konferencë po marrin pjesë edhe Egjipti, Kenia e Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ministri i Jashtëm i Sudanit është ankuar te homologu britanik, duke thënë se vendi i tij është dashur të ftohej në konferencë, ndërkohë duke e kritikuar praninë e Emirateve të Bashkuara dhe Kenias.

Sudani i akuzon Emiratet e Bashkuara Arabe se i kanë armatosur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë dhe kjo akuzë është cilësuar si e besueshme edhe nga ekspertë të OKB-së e ligjvënës amerikanë. Sidoqoftë, Emiratet e Bashkuara e kanë mohuar akuzën./Nacionale

Lajme të ngjashme