Anketë nga “Reuters”: Shumica e demokratëve duan kandidat që s’i përkrah ndihmat ushtarake për Izraelin - NACIONALE

Anketë nga “Reuters”: Shumica e demokratëve duan kandidat që s’i përkrah ndihmat ushtarake për Izraelin

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Shumica e demokratëve parapëlqejnë një kandidat për president që nuk i përkrah ndihmat ushtarake të ShBA-së për Izraelin, sipas një ankete të re të agjencisë “Reuters” dhe institutit “Ipsos”.

Sipas sondazhit të zhvilluar për tri ditë dhe të përmbyllur të mërkurën, 56 për qind e pjesëmarrësve që e identifikuan veten si demokratë thanë se kanë më pak prirje për të mbështetur një kandidat që e përkrah asistencën ushtarake për Izraelin, në krahasim me 40 për qind që thanë se janë më të prirur për të mbështetur një kandidat të tillë.

Rezultatet e kësaj ankete ilustrojnë një brishtësi potencialisht kritike për Bidenin, që ka zemëruar disa figura brenda partisë së vet me përkrahjen e Izraelit në luftën e këtij shteti kundër militantëve të Hamasit, para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, në të cilat Bideni nuk do të donte që ta humbte përkrahjen brenda partisë së tij, thekson agjencia “Reuters”.

Sidoqoftë, në një ballafaqim të mundshëm mes Bidenit dhe ish-presidentit Donald Trump, të dy do të merrnin përkrahje të barabartë – nga 36 për qind, sipas anketës. Pjesa tjetër e pjesëmarrësve thanë se nuk ishin të sigurt, do të votonin për dikë tjetër ose nuk do të votonin fare.

Përkrahja e hershme dhe e zëshme e Bidenit për Izraelin dhe refuzimi i tij për t’ia kushtëzuar ndihmat ushtarake ka nxitur zemërim në partinë e tij.

Të martën, më shumë se 100 mijë votues në Michigan në zgjedhjet paraprake të Partisë Demokratike votuan “asnjanës” si protestë masive kundër përkrahjes së Bidenit për fushatën ushtarake izraelite.

Një pakicë në rritje e demokratëve e fajësojnë qeverinë izraelite për konfliktin në Gaza. Shtetet e Bashkuara për një kohë të gjatë i kanë bërë presion Izraelit që palestinezëve t’u dhurohet një lloj shteti.

22 për qind e demokratëve që morën pjesë në anketën e agjencisë “Reuters” e fajësuan Izraelin për luftën në Gaza, në krahasim me vetëm 13 për qind në nëntor. Demokratët në masë dërrmuese thanë se duan një kandidat për president që do të bënte thirrje për një armëpushim në konflikt.

Rreth 46 për qind e demokratëve që morën pjesë në sondazh e fajësuan Hamasin, dukshëm më pak se 54 për qind sa e fajësonin këtë grup në nëntor.

Lajme të ngjashme