Analistët: Sulmet vdekjeprurëse në Ukrainë nuk tregojnë forcë, por dobësi të Rusisë
Duke folur për sulmet raketore në Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se ato ishin hakmarrje e drejtpërdrejtë për shpërthimin që e dëmtoi urën e Kerch-it, që e lidh Krimenë me Rusinë.
Zyrtarët ukrainas thanë se këto ishin bombardimet më të mëdha kundër qyteteve ukrainase muajt e fundit, të fokusuara në objektiva civile, duke lënë të vrarë 19 persona e duke plagosur dhjetëra të tjerë.
E ndërsa këto sulme e kishin për qëllim terrorizmin, analistët thonë se ato e nënvizojnë jo fuqinë e Rusisë, por dobësinë në rritje, duke e ilustruar paaftësinë e saj për ta zhvendosur situatën ushtarake në favor të saj.
Këto sulme analistët i cilësuan si një përpjekje të dëshpëruar të presidentit rus, Vladimir Putin, për t’iu përgjigjur kritikëve në vend. Megjithatë, ata thanë se këto sulme nuk do të kenë asnjë efekt në ndryshimin e disfatës së Rusisë në fushëbetejë.
"Kjo nuk është, si rrjedhim, një strategji e re fituese e luftës, por një ... zemërim", kështu është shprehur Lawrence Freedman, profesor i Studimeve të Luftës në Kings College London.
Duke e komentuar sulmin në urën e Krimesë, ekspertët thanë se ai ishte një poshtrim personal për Putinin që tregoi se sa keq po shkon lufta për Rusinë, ata shtuan se nacionalistët rusë po kërkonin një përgjigje proporcionale.
Sipas ABC news, disa analistë ushtarakë thonë se këto sulme janë krijuar për të përhapur frikë, por nuk kanë ndikim në aftësinë e Ukrainës për ta vazhduar avancimin në verilindje dhe jug të vendit.
Ndër të tjera, analistët shtojnë se Rusisë janë duke i mbaruar raketat me rreze të gjatë veprimi, që do të thotë se ajo nuk do të jetë në gjendje të mbajë një intensitet as afatshkurtër të sulmeve të ngjashme.
Pavel Luzhin, ekspert ushtarak dhe shkencëtar politik, duke folur për faqen e pavarur ruse të lajmeve, The Insider, u shpreh se pas sulmeve të së hënës, Rusia nuk ka tashmë raketa të avancuara të mjaftueshme për të përsëritur një sulm kaq të madh.
"83 raketat që Rusia i përdori sot, i kishte grumbulluar për disa muaj," është shprehur Luzhin, duke shtuar se Rusia nuk prodhon më shumë se 200 raketa të tilla në vit.
Megjithatë, Luzhin tha se Rusia ka ende sasi më të mëdha të raketave më të vjetra, më pak të avancuara dhe tani dronë iranianë, por këto nuk ishin të mjaftueshme për të pasur një ndikim të rëndësishëm ushtarak.
"Mjaft për terror, por jo për diçka më shumë," ka thënë ai.

