Biden thotë se Putini "është aktor racional, që ka bërë llogari të gabuara"
Në një intervistë ekskluzive për CNN, presidenti amerikan Joe Biden, ka folur në lidhje me pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Duke u ndaluar te presidenti rus, Biden tha se besonte që Vladimir Putin është një “aktor racional”, që ka vlerësuar keq aftësitë e tij për pushtimin e Ukrainës dhe për të shtypur popullin e saj.
“Unë mendoj se ai është një aktor racional që ka bërë llogari të gabuara,” u shpreh Biden në një intervistë te realizuar me Jake Tapper.
Ndërsa amerikanët janë duke shikuar me shqetësim përshkallëzimin e luftimeve në Ukrainë, Biden përmes kësaj interviste ka dhënë një pasqyrë të re në të menduarit e tij.
Javën e kaluar presidenti amerikan paralajmëroi se rreziku i “amagedonit bërthamor”, ishte në nivelin më të lartë në 60 vitet e fundit, e tani ai tha se kërcënimet që vijnë nga Rusia mund të rezultojnë në “gabime” e “llogaritje të gabuara” katastrofike.
Megjithatë, Biden nuk ka pranuar të përgjigjet se si saktësisht do të përgjigjeshin Shtetet e Bashkuara në rast se Putini do të vendoste një pajisje taktike bërthamore në fushën e betejës në Ukrainë.
E ndërsa liderët botëror janë duke punuar për të parashikuar hapat e tij të ardhshëm, Biden tha se besonte që vetë Putini ishte racional. Ai i përshkroi qëllimet e liderit rus në Ukrainë si qesharake.
"Ju e dëgjoni atë që ai thotë. Nëse e dëgjoni fjalimin që ai bëri pas marjes së vendimit, ai foli për të gjithë idenë - ai duhej të ishte lideri i Rusisë që bashkonte të gjithë rusishtfolësit. Dua të them, thjesht mendoj se është irracionale," tha Biden.
Më tej Biden tha se Putin ka pasur besime të gabuara që ukrainasit do t’i nënshtroheshin pushtimit rus – një gjykimi gabuar që veç është hedhur poshtë nga rezistenca e ashpër brenda vendit.
Kujtojmë se, një kundërofensivë e nisur nga Ukraina muajin e kaluar rezultoi e suksesshme duke arritur që ukrainasit të rimarrin territorin e mbajtur më parë nga rusët. Këto humbje dëshmuan një turp tjetër të madh për Rusinë.
Megjithatë, këtë javë, Rusia nisi një nga fushatat e saj më të ashpra të bombardimeve që nga pushtimi në fund të shkurtit. Ku deri më tani sulme kanë lënë të vrarë të paktën 19 njerëz dhe ka plagosur më shumë se 100 të tjerë.

