Bideni e paralajmëron Arabinë Saudite për pasoja pas uljes së prodhimit të naftës e animit nga Rusia - NACIONALE

Bideni e paralajmëron Arabinë Saudite për pasoja pas uljes së prodhimit të naftës e animit nga Rusia

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të martën se do të ketë pasoja për Arabinë Saudite pas vendimit të saj javën e kaluar për t’ia mbajtur anën presidentit rus, Vladimir Putin, e për ta pakësuar prodhimin e naftës.

“Do të jenë disa pasoja për atë që ata e kanë bërë. Nuk do të futem në atë që do ta shqyrtoj dhe çfarë kam në mendje, por do të ketë, do të ketë pasoja”, tha ai në një intervistë për televizionin CNN.

Ky koment dha shenjë për braktisje dramatike të përpjekjeve të fundit të presidentit amerikan për përmirësim të raporteve me princin Mohammed bin Samlan dhe hedh dyshim mbi të ardhmen e marrëdhënieve të sigurisë mes Shteteve të Bashkuara e Arabisë Saudite, raporton gazeta “The Guardian”.

Më herët të martën, John Kirby, zëdhënës i Këshillit për Siguri Kombëtare, tha se presidenti Biden beson që Shtetet e Bashkuara duhet “ta rishikojnë marrëdhënien dypalëshe me Arabinë Saudite dhe të shikojnë nëse raporti është aty ku duhet të jetë dhe nëse po u shërben interesave tona kombëtare të sigurisë”, duke shtuar se rishikimi i raporteve është “pas vendimit të fundit nga OEPEC-u dhe udhëheqësia e Arabisë Saudite”.

Në mesin e disa mundësive, Kirby la të kuptohet se Bideni do të flasë me zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike në Capitol Hill, të cilët kanë bërë thirrje që ShBA-ja ta kufizojë bashkëpunimin me Arabinë Saudite pas vendimit të princit që u pa si anim nga interesat ruse para interesave amerikane. Vendimi arab për pakësimin e prodhimit të naftës është marrë vetëm pak javë para zgjedhjeve të mesit të mandatit në ShBA dhe mund të përcaktojë se sa do të paguajnë amerikanët për karburante.

Kundërshtimet e kongresistëve ndaj Arabisë Saudite u ashpërsuan dukshëm këtë javë, pasi Rober Menendez, shef i komisionit për raporte të jashtme në Senat, kërcënoi me ngrirje të shitjes së armëve dhe të bashkëpunimit në fushën e sigurisë me Arabinë Saudite, duke thënë se princi Mohammed po ndihmon që ta “sigurojë luftën e Putinit përmes kartelit OPEC+”.

Sipas tij, “thjesht nuk ka hapësirë për t’i mbajtur të dyja anët në konflikt”. “Nuk do t’ia jap dritën e gjelbër asnjë bashkëpunimi me Riadin derisa mbretëria ta rivlerësojë pozicionin e saj sa i përket luftës në Ukrainë. Mjaft është mjaft”, tha Menendez.

Ish-analisti i CIA-s dhe eksperti për Arabinë Saudite, Bruce Riedel, tha se komentet e Shtëpisë së Bardhë përfaqësojnë një ndryshim dramatik.

“Mendoj se presioni nga pjesa e brendshme e Partisë Demokratike është i jashtëzakonshëm. Administrata do të duhet që të bëjë ca hapa si pakësimi i forcave amerikane”, tha ai./Nacionale

Lajme të ngjashme