“34 milionë të vrarë në 5 orë” - simulimi kompjuterik zbulon se çfarë mund të shkaktojë një sulm bërthamor nga Rusia - NACIONALE

“34 milionë të vrarë në 5 orë” - simulimi kompjuterik zbulon se çfarë mund të shkaktojë një sulm bërthamor nga Rusia

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Një simulim i tmerrshëm kompjuterik tregon se si një sulm bërthamor nga Rusia mund të shkaktojë një luftë që vret 34 milionë njerëz në vetëm pesë orë.

Një animacion katër minutësh i njohur si “Plani A” - zhvilluar nga studiues të Universitetit Princeton të lidhur me Programin për Shkencën dhe Sigurinë Globale, nxjerrë në pah pasojat “potencialisht katastrofike” të një konflikti të mundshëm midis Rusisë dhe vendeve të NATO-s.

Animacioni fillimisht është lëshuar në vitin 2017, por lufta e Ukrainës, ka rindezur diskutimet rreth perspektivës së luftës bërthamore dhe ka ripërtërirë interesin për modele të tilla.

Dr Alex Glaser, një nga krijuesit e Planit A, është shprehur për Newsweek, duke thënë: "Me sa mund të thuhet, kjo është kriza më serioze me një dimension potencial bërthamor që përfshin Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara/NATO që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Një krizë si ajo me të cilën po përballemi aktualisht rezulton shpesh në keqkomunikim ndërmjet palëve, i përkeqësuar nga fakti se mbeten shumë pak linja aktive komunikimi midis Rusisë dhe SHBA-së/NATO-s,” ka shtuar ai.

Modeli i bazuar në të dhëna realiste mbi pozicionet e forcës bërthamore, objektivat dhe vlerësimet e shkakësisë – parashikon vdekjen e 34.1 milionë njerëzve brenda disa orëve.

Sipas modelit, konflikti katastrofik do të linte edhe 55.9 milionë të tjerë të plagosur.

DailyMail shkruan se, simulatorët e luftës bërthamore mund të duken të frikshëm, por ato mund të përdoren nga qeveritë për të zhvilluar plane emergjence dhe për të edukuar publikun se si të mbijetojë një sulm.

Simulimi i publikuar fillon brenda kontekstit të një konflikti konvencional, jo bërthamor, ku Rusia lëshon një gjuajtje paralajmëruese nga një bazë afër Kaliningradit, në Detin e Zi, për të ndaluar një avancim ShBA-NATO, përpara se ata të hakmerren me një sulm ajror të vetëm taktik.

Më pas, Rusia dërgon 300 eksplozivë me koka luftarake, të bartura ose me avionë ose me raketa me rreze të shkurtër veprimi, drejt bazave të NATO-s dhe trupave që avancojnë në Evropë. Pastaj, sipas modelit, aleanca ushtarake ndërkombëtare do të përgjigjej me rreth 180 armë bërthamore të bartura nga avionët.

Në një fazë të tillë, mendohet se viktimat do të arrinin në rreth 2.6milionë brenda një periudhe tre orëshe edhe Evropa në thelb do të shkatërrohej.

Pas kësaj, NATO do të vepronte nga flotat kontinentale të ShBA-së dhe nëndetëset bërthamore, duke nisur një sulm strategjik bërthamor prej rreth 600 kokash.

Përpara se të godasë ky sulm dhe të shkatërrojë sistemin e armëve të Rusisë, kjo e fundit do të lëshonte armë bërthamore nga kompleti i saj i siloseve të raketave, nëndetëseve dhe platformave të lëvizshme të lëshimit.

Në një fazë të tillë lufte që do të zgjaste 45 minuta, modeli parashikon 3.4 milionë viktima.

Ndërsa, sipas animacionit, në fazën përfundimtare të konfliktit, të dyja palët do të synonin 30 qytetet dhe qendrat ekonomike më të populluara të njëra-tjetrës, duke vendosur 5 deri në 10 armë bërthamore për secilën, në përpjekje për të penguar rimëkëmbjen e palës kundërshtare nga lufta.

Sipas studiuesve, një lëvizje e tillë do të sillte 85.3 milionë viktima të tjera brenda 45 minutash, ndërsa shumë vende të tilla si Skocia dhe ato në hemisferën jugore shpëtojnë nga të qenit objektiv i drejtpërdrejtë i një sulmi.

Megjithatë, efektet e pasojave bërthamore, sistemet mjekësore në rënie dhe ndikimet afatgjata në klimën e Tokës, popullsinë dhe prodhimin e ushqimit do të kishin efekte të gjera.

Simulimi kompjuterik i publikuar, bazohet në vlerësime të pavarura të pozicioneve aktuale të forcave amerikane dhe ruse, planeve të luftës bërthamore dhe objektivave të armëve bërthamore.

Për këtë model, ekipi ka përdorur të dhënat publike të disponueshme mbi armët bërthamore të vendosura aktualisht, objektivat e mundshme dhe rendin në të cilin armët mund të shpërthenin.

Lajme të ngjashme