Si po bëhet Irani një lojtar i fortë përmes luftës në Ukrainë?
Duke u përballur me shumë pengesa në Ukrainë, Rusia gjithnjë e më shumë po i drejtohet Iranit për ndihmë – një zhvillim ky që ka ngjallur shqetësim në Perëndim dhe te kundërshtarët rajonalë të Teheranit.
Duke folur për CNN, burime të afërta me inteligjencën amerikane kanë thënë se Irani ka dërguar trajnerë ushtarakë në Krime për të trajnuar dhe këshilluar ushtrinë ruse në përdorimin e dronëve të prodhuar nga Irani që Moska i ka përdorur në sulmet e fundit në të gjitha qytetet e Ukrainës.
Prania e personelit iranian në territorin e okupuar ukrainas do të shënonte një përshkallëzim të rëndësishëm në përfshirjen e Iranit në luftë në mbështetje të Rusisë dhe një fazë të re në aleancën ushtarake të dy vendeve.
Edhe ditën e martë, Reuters raportoi se Irani mund të furnizojë Rusinë me raketa tokë-tokë, megjithëse më pas këto akuza u mohuan nga zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Nasser Kanani, i cili u shpreh se “Irani e ka kundërshtuar gjithmonë vazhdimin e luftës”.
Duke folur mbi këro zhvillime, Behnam Ben Taleblu, një bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive me bazë në Uashington, tha se, “pavarësisht dallimeve të tyre, Irani dhe Rusia janë afruar më shumë sepse ndajnë të njëjtin përceptim të kërcënimit”.
"Ata shohin një rend rajonal të lidhur kundër tyre nga një fuqi jashtërajonale," tha ai, duke iu referuar Shteteve të Bashkuara.
Ai shtoi se, “nëse Irani i shet raketa Rusisë, kjo do të nënkuptojë se ai po lëviz disa nga municionet e tij më të sakta më afër Evropës”.
Që nga pushtimi rus, dy vendet e sanksionuara kanë bashkëpunuar për çështje politike dhe ekonomike, duke nisur së fundmi edhe bashkëpunim në dimensionin ushtarak.
Sipas një agjencie gjysmë zyrtare të lajmeve Fars, gjeneralmajor Yahya Safavi, një ndihmës i lartë ushtarak i liderit suprem të Iranit, të martën është mburrur me atë se ka 22 vende në listë që po kërkojnë dronët iranianë.
Ai është cituar të ketë thënë se, “Irani, i cili para revolucionit të vitit 1979 importonte shumicën e armëve të tij, tani prodhon më shumë se 80% të pajisjeve të tij ushtarake.”
Edhe pse Irani dhe Rusia e kanë mohuar vazhdimisht përfshirjen e Republikës Islamike në Ukrainë, analistët kanë thënë se lajmet rreth dronëve iranianë nuk shihen domosdoshmërisht si publicitet i keq në Teheran.
E ndërsa përdorimi i tyre nga Rusia mund të tregojë më shumë për dëshpërimin e saj në luftë sesa për aftësitë ushtarake të Teheranit, ekspertët thonë se raportet e mediave për dronët vrasës të Iranit po e forcojnë imazhin e vendit ndërsa përpiqet t'i tregojë botës se armët e tij mund të konkurrojnë në konfliktin ndërkombëtar.
"Për iranianët, ka të bëjë me marrjen e pjesës së tregut, ka të bëjë me prestigjin, ka të bëjë me forcimin e aleancave," është shprehur Eric Lob, një studiues jorezident në programin e Iranit të Institutit të Lindjes së Mesme, duke shtuar se këto janë stimuj për një vend që është aq i izoluar sa Irani.
Ekspertët thonë se, lufta e Ukrainës është një mundësi për Iranin që të vëzhgojë se si po përdoren dronët e tij në fushën e betejës, kështu që mund të shikojë mangësitë dhe të shohë se si t'i përmirësojë më tej ato.
Aniseh Bassiri Tabrizi, një studiuese e lartë në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Londër, tha se "është e mundur që ajo që po ndodh në Ukrainë do t'i sjellë Iranit më shumë klientë... Irani me të vërtetë dëshiron të jetë një lojtar i madh në industrinë e armëve dhe dronëve".
Por, performanca e dronëve të Iranit në Ukrainë do të përcillet gjithashtu nga armiqtë e vendit, pasi rivalët rajonalë në shtetet arabe të Gjirit kanë qenë objektiva të drejtpërdrejta të sulmeve me dronë nga grupi Houthi në Jemen i lidhur me Iranin, dhe ata kanë akuzuar Republikën Islamike për furnizimin e këtyre dronëve.
Amir Avivi, një gjeneral i lartë në pension në Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) dhe themelues dhe CEO i Forumit të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Izraelit, ka thënë për CNN, se edhe armiku kryesor i Iranit, Izraeli mund të jetë duke vëzhguar nga afër.
“Është një kërcënim dhe një mundësi”, tha ai duke shtuar se, “është një mundësi për ne që të shohim me të vërtetë aftësitë iraniane në terren, të mësojmë se çfarë po ndodh. Nga ana tjetër, një nga gjërat që na shqetëson është se armët… mund të mbërrijnë në Hezbollah, për shembull, ose në Hamas.”
Megjithatë, ai shtoi se lidhjet ushtarake në rritje të Teheranit dhe Moskës janë "lajm i keq" për Perëndimin, "sepse ne nuk kemi parë kurrë një guaskë kaq të ngushtë operacioni midis Rusisë dhe Iranit”.

