Rusia lë 10 milionë ukrainas pa energji elektrike: Ngjarjet kryesore të ditës nga lufta në Ukrainë - NACIONALE

Rusia lë 10 milionë ukrainas pa energji elektrike: Ngjarjet kryesore të ditës nga lufta në Ukrainë

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Akuza e Rusisë për krime lufte ndaj Ukrainës, ka qenë vetëm një nga zhvillime e shumta që shënuan ditën 268 të luftës mes dy vendeve.

Në vazhdim, Nacionale sjell të përmbledhura ngjarjet më kyçe.

  • Prokurori suedez që drejton hetimet për dëmtimin e gazsjellësve Nord Stream 1 dhe 2 ka konfirmuar se ngjarja ka qenë sabotim dhe ka thënë se janë gjetur gjurmë eksplozivi.
  • Një zyrtar i lartë i OKB-së ka mirëpritur zgjatjen me katër muaj të një marrëveshjeje që synon të lehtësojë mungesat globale të ushqimit duke ndihmuar Ukrainën të eksportojë produktet e saj bujqësore nga portet e Detit të Zi.
  • Pas shfaqjes së pamjeve ku pretendohet se tregojnë personelin ushtarak ukrainas duke vrarë qëllimisht më shumë se 10 ushtarakë rusë të kapur, ministria e Mbrojtjes ruse ka lëshuar një deklaratë ku tha se: “Vrasja brutale e ushtarakëve rusë nuk është as krimi i parë dhe as krimi i vetëm i luftës. Kjo është një praktikë e zakonshme në forcat e armatosura të Ukrainës, e cila mbështetet në mënyrë aktive nga regjimi i Kievit dhe shpërfillet drejtpërdrejt nga klientët e tij perëndimorë”. Kujtojmë se, në fillim të kësaj jave, një agjenci e OKB-së për monitorimin e të drejtave të njeriut në Ukrainë tha se kishte prova se si Federata Ruse ashtu edhe Ukraina keqtrajtonin të burgosurit e luftës.
  • Kryeministri i Ukrainës ka thënë se pas sulmeve të fundit raketore të Rusisë, gati gjysma e sistemit energjetik të vendit është jashtë funksioni. Ndërsa, zyrtarë të tjerë kanë parlajmëruar se kryeqyteti mund të përballet me “mbyllje të plotë” të rrjetit të energjisë, me presidentin e vendit Volodomyr Zelensky, i cili tha se 10 milionë ukrainas kanë mbetur pa energji elektrike.
  • Sipas zyrës së presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ai ka biseduar me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kanë përgëzuar njëri-tjetrin për zgjatjen e marrëveshjes së drithërave të ndërmjetësuar nga OKB-ja.
  • Guvernatori i Kharkiv, Oleh Synyehubov, tha se tetë persona janë plagosur të enjten duke u marrë me pasojat e një sulmi rus në atë që ai e përshkroi si "pajisje të industrisë së gazit" në Izium.
  • Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka thënë se nuk ka asnjë perspektivë apo plane për një samit midis presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidentit amerikan, Joe Biden. Ndërsa, zëvendësministri i Jashtëm i Moskës, Sergei Ryabkov, tha se Rusia nuk po përjashton takime të mëtejshme të nivelit të lartë me ShBA-në për "stabilitetin strategjik". “Nëse amerikanët tregojnë interes dhe gatishmëri, ne nuk do të refuzojmë”, citohet të ketë thënë Ryabkov në mediat shtetërore ruse.
  • Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti ka raportuar se një shkollë është goditur nga zjarri ukrainas në rajonin e pushtuar të Donetskut, një nga zonat e Ukrainës që Federata Ruse pretendon se e ka aneksuar.
  • Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme polake, Lukasz Jasina, ka thënë se vendi nuk do t'i japë viza një delegacioni rus për të marrë pjesë në një takim të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) që do të mbahet në Lodz më 1-2 dhjetor.
  • Papa Françesku ka përsëritur të premten se Vatikani ishte i gatshëm të bënte çdo gjë të mundshme për të ndërmjetësuar dhe për t'i dhënë fund konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës.

Lajme të ngjashme