Moderatori rus vajtoi për votimin në OKB: Qysh po i zvogëlohet Rusisë sfera e ndikimit? - NACIONALE

Moderatori rus vajtoi për votimin në OKB: Qysh po i zvogëlohet Rusisë sfera e ndikimit?

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Një nga prezantuesit më të njohur televizivë të Rusisë, këtë javë është zemëruar me atë që ai e cilësoi si një “akt kundërshtimi” ndaj Rusisë, nga aleatët rusë në Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive.

Bëhet fjalë për një rezolutë të OKB-së që i bënte thirrje Rusisë t’i paguajë Ukrainës dëmshpërblime të luftës - e cila u votua kundër nga Bjellorusia, por jo edhe nga katër aleatët të traktatit të Rusisë - pasi Armenia, Kazakistani, Kirgistani dhe Taxhikistani, abstenuan.

"Vendet e NATO-s janë rreshtuar të gjitha, duke parë (presidentin) Biden me sy adhurues," është shprehur prezantuesi Vladimir Solovyov.

E përveç tyre, në votimin e kërkuar nga OKB-ja, edhe Serbia ishte në mesin e 73 vendeve që abstenuan, edhe atë duke përdorur një arsye mjaft qesharake - "Albin Kurtin".

Sipas burimeve të gazetës serbe Nova, burimet brenda diplomacisë serbe kanë thënë që “Serbia nuk ka mundur të votojë për atë propozim sepse do të krijonte një precedent të madh, duke pasur parasysh që Kurti (kryeministër i Kosovës) insiston në çështjen e dëmshpërblimeve të luftës.”

Por, t'u kthehemi vendeve të Azisë Qendrore, çfarë po ndodhë?

Sipas një analize nga Axios, që nga pushtimi rus i Ukrainës, vendet e Azisë Qendrore kanë nisur të distancohen me kujdes nga Moska.

Sipas Nikkei Asia, në samitet e fundit rajonale, presidenti i Taxhikistanit Emomali Rahmon ka kërkuar më shumë “respekt”, ndërsa presidenti i Kirgistanit, Sadyr Japarov e ka lënë Vladimir Putinin të presë përpara një takimi që do të zhvillohej. Megjithatë, duke se ndryshimi më i madh po ndodhë në Kazakistan, vend i cili ndan kufirin e dytë më të gjatë me Rusinë dhe që nga rënia e BRSS-së, ka mbajtur lidhje të ngushta me Moskën.

Ndërkohë, edhe presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev, i cili pritet të fitojë një mandat të ri shtatë-vjeçar në zgjedhjet e kësaj fundjave, ka refuzuar vazhdimisht të mbështesë pushtimin rus. Ai në muajin qershor, ndërsa ndodhej në të njejtën skenë me Putinin, deklaroi se Kazakistani respektonte “integritetin territorial” dhe nuk do të ndiqte Rusinë në njohjen e pavarësisë së Luhanskut dhe Donetskut në Ukrainën lindore.

Gjithashtu, nën arsyetimin e buxhetit, në muajin maj Kazakistani anuloi një që shënonte fitoren sovjetike ndaj nazistëve. Astana po ashtu ka ndaluar simbolet ushtarake si "Z" të shfaqura nga mbështetësit e pushtimit.

Pas këtyre lëvizjeve nga Kazakistani, ka pasur edhe reagime të tjera, me një tjetër prezantues televiziv rus, Tigran Keosayan, i cili u shpreh duke thënë se, nëse Kazakistani mendonte se mund të "ikte” me një "mosmirënjohje" të tillë, duhet "të shikojë se çfarë po ndodh në Ukrainë".

Më pas, nga llogaria e ish-presidentit Dmitry Medvedev në rrjetin social VK të Rusisë, u postua një pretendim ku thuhej se, "shteti artificial" i Kazakistanit po kryente një "gjenocid" kundër pakicës ruse. Megjithatë, më vonë Medvedev pretendoi se llogaria e tij ishte hakuar. E deklarata të ngjashme me të, kanë bërë edhe politikanë të tjerë të lartë.

Regimet nga Rusia ndaj Kazakistanit vazhduan edhe më tej, ku në muajin qershor një gjykatë ruse urdhëroi ndalimin e operimit të një tubacioni përmes të cilit 80% e eksporteve të naftës të Kazakistanit kalojnë në Detin e Zi, duke e arsyetuar vendimin me rrezik të derdhjeve. Por, kjo arsye është spekuluar, me shumë që kanë thënë vendimi ishte vetëm për t’i kujtuar Kazakistanit varësinë e tij nga Rusia.

Mendohet gjithashtu se ky urdhër ka shqetësuar Kinën, e cila ka investuar shumë në Kazakistan dhe përfiton nga një treg i qëndrueshëm i naftë, prandaj edhe u hoq.

Si është situata?

Kazakistani është duke punuar për të ndryshuar rrugët e eksportit dhe po pret bashkëpunim nga presidentët e Kinës, Turqisë dhe Këshilli Evropian - një shenjë kjo se eksportuesi i 10-të më i madh i naftës në botë ka edhe opsione të tjera.

Duke folur për Reuters, edhe një zyrtar i lartë kazak është shprehur duke thënë se nëse në zgjedhjet e vendit do të fitojë Tokayev, vendi mund të distancohet edhe më tej nga Moska. Një gjë e tillë do të tregonte një ndryshim të jashtëzakonshëm, nëse kujtojmë se në më pak se një vit, Rusia kishte dërguar trupa në ndihmë të Tokajevit për ta ndihmuar të shtypë një kryengritje të dhunshme.

Megjithatë, votimi i OKB-së që solli zemërim për Solovyov gjithashtu ka treguar edhe se Rusia ka ende shumë partnerë përtej hapësirës post-sovjetike. Pasi, kundër rezolutës së kërkuar, bashkë me Rusinë ka votuar edhe Kina, Irani e Koreja e Veriut, për të cilat thuhet se janë duke ofruar armë në përpjekjet luftarake ruse. Me Rusinë, ishin edhe pesë vende afrikane, duke përfshirë Republikën e Afrikës Qendrore dhe Malin në të cilat ndodhen mercenarë rusë.

Lajme të ngjashme