Ku është Putini?
Kur udhëheqësit më të lartë ushtarakë të Rusisë njoftuan në një paraqitje televizive se do t’i tërheqin trupat nga qyteti kyç ukrainas, Kherson, një burrë që mungonte në dhomë, ishte presidenti rus, Vladimir Putin.
Përderisa ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, dhe gjenerali Sergei Surovikin, komandant i forcave ruse në Ukrainë, në mënyrë të ngurtë i recituan arsyet për tërheqjen para kamerave më 9 nëntor, Putini ishte duke u shëtitur nëpër një spital të neurologjisë në Moskë, duke shikuar një mjek tek kryente një operacion në trurin e një pacienti.
Më vonë atë ditë, Putini foli në një organizim tjetër, por nuk e përmendi tërheqjen nga Khersoni – që mund të thuhet se ishte tërheqja më poshtëruese për forcat ruse në Ukrainë. Në ditët që erdhën më pas, ai nuk ka folur publikisht për këtë çështje, raporton agjencia “Associated Press”.
Heshtja e Putinit është shfaqur përderisa Rusia po ballafaqohet me humbje në luftime. Udhëheqësi rus duket se ua ka deleguar të tjerëve dhënien e lajmeve të këqija, taktikë që ai e kishte përdorur edhe gjatë pandemisë së koronavirusit.
Khersoni ishte i vetmi kryeqytet rajonal ukrainas që qe marrë nën kontroll nga forcat ruse. Rënia e tij kishte ndodhur në ditët e para të pushtimit. Rusia e mbajti pushtimin në këtë qytet dhe në rajonin përreth tij me muaj të tërë.

Moska në mënyrë të paligjshme i aneksoi Khersonin dhe tri provinca të tjera ukrainase para pak muajve. Putini personalisht organizoi një ceremoni madhështore për formalizimin e aneksimit të provincave ukrainase në shtator, duke pretenduar se, siç tha ai, “njerëzit që jetojnë në Luhansk dhe Donetsk, Kherson dhe Zaporizhia, bëhen përgjithmonë qytetarë tanë”.
Vetëm pak më shumë se një muaj më vonë, megjithatë, flamujt trengjyrësh u larguan nga ndërtesat qeveritare në Kherson dhe u zëvendësuan me flamujt e Ukrainës.
Ushtria ruse raportoi për përfundimin e tërheqjes nga Khersoni dhe zonat përreth tij për në bregun lindor të Lumit Dnieper më 11 nëntor. Që nga ajo kohë, Putini nuk e ka përmendur tërheqjen në asnjërën nga paraqitjet e tij publike.
“Putini vazhdon të jetojë në logjikën e vjetër: kjo nuk është luftë, është operacion special, vendimet kryesore po merren nga një qark i ngushtë i “profesionistëve” përderisa presidenti po e mban distancën”, thotë analistja politike ruse, Tatyana Stanovaya.
Putini, për të cilin dikur kishte thashetheme se personalisht e mbikëqyr fushatën ushtarake në Ukrainë dhe u jep urdhra të betejës gjeneralëve, këtë javë u duku i përqendruar në gjithçka tjetër pos luftës.

Ai diskutoi me zyrtarët qeveritarë për procedurat e bankrotimit dhe problemet e industrisë së veturave, bisedoi me një guvernator siberian për shtimin e investimeve në rajonin e tij, zhvilloi telefonata me udhëheqës të ndryshëm botërorë dhe u takua me kryetarin e ri të Akademisë së Shkencave të Rusisë.
