Rusia akuzon Ukrainën për ekzekutimin e më shumë se 10 ushtarëve rusë
Pas qarkullimit në mediat sociale të një videoje që pretendohet të jetë nga vija e frontit, ku paraqitet ekzekutimi i më shumë se 10 të burgosurve rusë të luftës, Kremlini ka akuzuar Ukrainën për krime lufte.
Pamjet e shpërndara duket se tregojnë një grup ushtarësh rusë që dalin nga një ndërtesë ndihmëse në oborrin e një shtëpie me duart mbi kokat e tyre përpara se t'u thuhet të shtrihen me fytyrë poshtë. E më pas duket një burrë i veshur me të zeza, teksa del me armë nga ajo që duket të jetë një njësi ukrainase.
Pamjet, sugjerojnë se të gjithë rusët janë vrarë. Sipas The Guardian, bëhet fjalë për të paktën 12 trupa.
Më tej thuhet se incidenti ka ndodhur në Luhansk të Ukrainës, që është pjesë e Donbasit.
Pas këtyre pamjeve, një zëdhënës i ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë ka thënë se: “Kjo vrasje brutale e ushtarakëve rusë nuk është as i pari dhe as i vetmi krim lufte,” duke shtuar se, “kjo është praktikë e zakonshme në Forcat e Armatosura të Ukrainës, e cila mbështetet në mënyrë aktive nga regjimi i Kievit dhe injorohet në mënyrë të hapur nga klientët e tij perëndimorë.”
Ministria ka vazhduar të pretendojë se pamjet tregojnë “vrasjen e qëllimshme dhe metodike të më shumë se 10 ushtarakëve rusë nga ushtarë të degjeneruar ukrainas”.
Zëdhënësi është shprehur, se qeveria ukrainase do të mbahet përgjegjëse për "çdo të burgosur të torturuar dhe vrarë".
Kujtojmë se, konflikti në Ukrainë ka bërë që të dyja palët të akuzojnë njëra-tjetrën për krime lufte.
Një krim lufte përkufizohet nga Kombet e Bashkuara si një shkelje serioze e së drejtës ndërkombëtare e kryer kundër civilëve ose forcave armike gjatë një konflikti të armatosur.
