Valentina Sopjani dhe Agron Maxhuni zgjidhen anëtarë të rinj të Këshillit Gjyqësor të Kosovës - NACIONALE

Valentina Sopjani dhe Agron Maxhuni zgjidhen anëtarë të rinj të Këshillit Gjyqësor të Kosovës

1 orë më parë

nga Eriola Cacaj

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka mbajtur sot tubimin zgjedhor për zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të KGJK-së. Në garë ishin katër kandidatë: Agron Maxhuni, Diora Bajrami, Ilir Bytyqi dhe Valentina Sopjani.

Në tubimin zgjedhor të mbajtur në Prishtinë ka përfunduar raundi i parë i votimit, ndërsa votat janë numëruar.

Në këtë proces kanë marrë pjesë 303 gjyqtarë. Nga 303 fletëvotime, një ka rezultuar e pavlefshme, ndërsa 302 kanë qenë të vlefshme.

Sipas rezultateve, Valentina Sopjani ka marrë 212 vota apo 70,20% të votave, ndërsa Agron Maxhuni 204 vota apo 67,55%.

Ndërkaq, Ilir Bytyqi ka siguruar 84 vota apo 27,81%, ndërsa Diora Bajrami 64 vota apo 21,19%, raporton Gazeta Nacionale.

Me këtë ka përfunduar tubimi zgjedhor, në të cilin gjyqtarët Valentina Sopjani dhe Agron Maxhuni janë zgjedhur anëtarë të rinj të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Të dy kandidatët siguruan numrin e nevojshëm të votave për t’u zgjedhur në përbërjen e re të KGJK-së.

Kujtojmë se më herët, në Gjykatat Themelore në Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë, Pejë dhe Prizren janë zhvilluar proceset e brendshme zgjedhore, nga të cilat kishin dalë pesë kandidatë fitues: Valentina Sopjani, Ilir Bytyqi, Agron Maxhuni, Besnik Shala dhe Diora Bajrami.

Lidhur me këtë proces, kryetari i Komisionit Zgjedhor, Ahmet Imami, kishte shpalosur rrjedhën e procedurave deri në këtë fazë.

Imami bëri të ditur se më 22 qershor 2026, Komisioni kishte pranuar një e-mail nga gjyqtari Besnik Shala, përmes të cilit ai ishte tërhequr nga gara. Si rrjedhojë, bazuar në listën përfundimtare të përpiluar nga Komisioni, në garë mbetën gjyqtarët Agron Maxhuni, Diora Bajrami, Ilir Bytyqi dhe Valentina Sopjani.

Të drejtë kandidimi kishin gjyqtarët nga radhët e Gjykatave Themelore, Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale dhe Gjykatës Administrative, me përjashtim të gjyqtarëve të Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Valentina Sopjani dhe Agron Maxhuni

Lajme të ngjashme