Për shkak të Unikkatilit: Mësohet pse Fero rrahu qytetarët në rrugë, rrëfehet avokati - NACIONALE

Për shkak të Unikkatilit: Mësohet pse Fero rrahu qytetarët në rrugë, rrëfehet avokati

4 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Avokati i Feronit Shabanit i njohur si Fero, është deklaruar rreth arrestimit të klientit të tij sot nga policia, pas sulmit ndaj tre personave, pamjet ekskluzive të të cilit rast i publikoi Gazeta Nacionale të dielen mbrëma.

Të hënën në mesditë, policia reagoi pas një situate konfuze ku nuk arrinin të përcaktonin lokacionin e saktë të vendngjarjes, duke arrestuar superyllin e këngës 'Gang Gang'.

Nacionale ka kontaktuar me avokatin e të dyshuarit, Fero, për të marrë më shumë detaje rreth incidentit dhe të bëmave që erdhën deri te ky incident.

Po del të jetë se një këngë e Unikkatilit ka qenë "mollë sherri" e përplasjes, që ka ardhur si rezultat i provokimeve që kanë ardhur nga tre personat brenda veturës të tipit Golf 6, siç shihet në pamje.

Egzon Halimi, avokati mbrojtës i Feros, është shprehur si vijon për Redaksinë tonë:

"Ai (Fero) e ka pasë ni nejë me do fëmijë, para banesës së vetë, edhe do djem të rinj kanë shku aty e kanë fy, e kanë sha por ky nuk ka reagu.

"Herën tjetër kur janë kthy (viktimat) e kanë lëshu një kangë të Unikkatilit, ku ai po e ofendojka diçka këta (Feron). Atë kangë e kanë lëshu me zë të lartë, Fero u nervozu edhe u shku i ka sulmu në afekt".


Tutje, Halimi zbulon se i dyshuari nuk i njeh fare viktimat më herët dhe gjithçka ka qenë spontane.

Sidoqoftë, i njëjti ka thënë se bëhet fjalë për tre persona që kanë qenë në veturë në kohën e aksidentit, ndryshe nga Kryeprokurori i Gjilanit që aludon në dy persona.

Kryeprokurori i Gjilanit, Arben Kadriu për Nacionale ka përmendur vetëm dy viktima me inicialet E.E dhe L.E, ndërsa ka thënë se ende nuk dihet kur do të mbahet seanca për caktimin e masës, por që dihet se kjo do të ndodhë brenda 48 orëve.

Njeriu thjesht nuk ka rreshtur së përfshiri veten në zënka, rrahje, fjalosje e kanosje me këdo që e ka parë të arsyeshme apo këdo që e ka gjetur veten në anën e kundërt të qëndrimeve të tij, jo fort të njohura e kredibile, e drejt të themi.

Krejt çka dimë realisht është se atij i pëlqen ta mbulojë veten nga lavdia sa herë e sheh të nevojshme, e të shfaqet nëpër rrjete sociale me video të ndryshme duke i vënë epitete egocentrike nga më të ndryshme vetes.

Në shtratin e një lumi kontraversitetesh, kemi përmbledhur disa ku ai ka qenë i përfshirë si një prej protagonistëve kryesor të dhunës.

Rrahja e Feros në Prishtinë

Në mars të vitit 2018, reperi Fero ishte sulmuar nga disa persona në hyrje të 'Albi Mall'.

Përgjegjësinë për sulmin e morën dy persona të cilët pastaj dolën të jenë reperë, Ligriti dhe R-Jan.

Shkëmbime të vazhdueshme mes dy palëve ka pasur pas këtij incidenti, i cili konkludohet me rimën e Feros në këngën "Alles Baba" në dhjetor të vitit 2018 ku thotë: "Alltinë që e ke pasë, tash u bo alltia jem".

Në bazë të asaj çka ka mësuar Nacionale, pas sulmit nga dyshja prishtinase, Fero thuhet të jetë "hakmarrë" ndaj Ligritit, të cilin - së bashku me truprojën e tij - e kanë rrahur në Prishtinë, duke ia marrë edhe revolen të cilën Ligriti e posedonte në momentin e sulmit nga reperi gjilanas.

Reperi në vazhdimin e rimës pretendon të zbulojë edhe detaje tjera: "Alltinë që e ke pasë tash u bo alltia jem. Gjashtë plumba janë në cev, hajde mafiash, hajde merre n'mujsh apet", thotë ai.

Përfshirja e Feros në përleshjen në Mitrovicë

Vetëm tetë muaj pas incidentit në Albi Mall, Fero u përfshi në një tjetër rrahje. Kësaj radhe, pamjet janë paksë më të paqarta, edhe pse në disa sekuenca ai shihet duke hedhur disa grushte mbi një turmë njerëzish në një lokal në Mitrovicë.

Për të qenë të drejt, në këto pamje shihet se reperi fillimisht sulmohet nga një person në të djathtë, para se të reagojë.

Inventar i rrotulluar, e njerëz të traumatizuar që shikonin ishin pasojat, derisa videoja përfundon me copëzat e dëmtimeve që i lanë prapa të përfshirit në këtë përleshje.

Më vonë, Fero reagoi me një video në rrjetet sociale, ku - në mesin e një fjalori eksplicit - shprehet:

"Ma me babën se me babën veç han dajak".

I shkoi para banesës reperit rival

Për një kohë të gjatë, Fero ka qenë i përfshirë në një luftë verbale me reperin rival nga Tetova, S4mm.

Kërcënimet e kanosjet mes tyre kanë qenë të vazhdueshme, derisa Fero u duk se e dërgoi situatën në një nivel tjetër kur iu shfaq S4mm-it para banesës së tij në Tetovë, teksa "bllokon rrethin" qarkullues në trafik dhe bërtet "gang, gang".

Fero sulmon një person në rrugë dhe e filmon

Një prej paraqitjeve më bizare të reperit gjilanas erdhi së fundmi, në vitin 2022, kur u shfaq në një Instagram live duke mos kursyer komente denigruese e homofobike ndaj rivalëve të tij, ndoshta më së shumti për Unikkatilin, me të cilin ishte përfshirë në një luftë dissash së fundmi.

Në një moment gjatë livet të tij në Instagram, ai ndalë veturën dhe del për të sulmuar atë që përshkruhet si “fans” nga një video që qarkulloi në TikTok.

Ai dëgjohet teksa thotë: “Kush o këtu veç një gangster ëh, kush o veç një gangster”, para se të kthehet në makinë për të vazhduar monologun bizar.

Me pak fjalë, është e shkruar me ‘caps lock’ në qiell… shenjat janë gjithandej. Nuk i takon vetëm të afërmve të tij të kujdesen për mirëqenien e tij, por edhe neve si shoqëri.

Trendi i sjelljeve të dhunshme të Feros sigurisht se ka një prapavijë të trishtë të një të riu të talentuar që ka rënë viktimë e sistemit social e industrial, e që ka nevojë për mbështetje morale nga të gjitha segmentet e mundshme institucionale. Andaj, është e rëndësishme të bëjmë më shumë për të dhe për të tillë si ai, para se gjërat të marrin kthesa edhe më tragjike.

Lajme të ngjashme