Statistika të frikshme – dy vrasje në muaj në gjashtëmujorin e parë të këtij viti - NACIONALE

Statistika të frikshme – dy vrasje në muaj në gjashtëmujorin e parë të këtij viti

1 vit më parë

nga Halim Kafexholli

E shtuna e 24 korrikut, shënoi një tjetër ngjarje tragjike në Kosovë. Në fshatin Baks të komunës së Skënderajt, u dëgjuan të shtëna armësh, e që për pasojë u regjistrua një viktimë.

Disa persona në këtë fshat, të cilët ishin edhe kushërinj të afërt mes vete, pas një konflikti që u raportua të jetë i kahmotshëm, hapën zjarr arme mes vete, ku mbeti i vrarë njëri prej tyre, ndërsa u plagosën dy të tjerë.

I gjithë ky konflikt dyshohet se ndodhi për shkak të disa problemeve që kishin pasur palët për pronë tash e disa vjet, e që pas ardhjes së viktimës në atdhe, mërgimtarit Besim Musliu nga Austria, situata ka eskaluar edhe më tej.

Burime të gazetës Nacionale treguan se viktima dhe dorasi kishin pasur probleme për pronë, por më pas, dorasi me pretekstin se viktima është duke vozitur shpejt nëpër fshatin Baks, ka shtënë me kallashnikov në drejtim të tij.

Mirëpo kjo është vetëm një nga dhjetëra vrasjet në 12-mujorin e fundit në Kosovë, që në muajt e fundit po shënon rritje, duke paraqitur shqetësim për qytetarët edhe tek institucionet e sigurisë në Kosovë.

Statistika shqetësuese

Gazeta Nacionale ka pyetur Policinë e Kosovës për numrin e vrasjeve për periudhën e parë e këtij viti. Në të dhënat e policisë, gjatë muajve janar - qershor kanë ndodhur 13 vrasje në Kosovë, pa e llogaritur këtë të fundit në Skënderaj. Pra, sipas kësaj statistike, i bie që mesatarisht në Kosovë po ndodhin dy vrasje për muaj.

Kurse nga viti 2016 e deri në gusht të vitit 2021, sipas policisë, në Republikën e Kosovës kanë ndodhur 159 vrasje, prej të cilave 79 janë cilësuar si vrasje të rënda, ndërkaq 75 si vrasje.

Gjithashtu, gazeta ka pyetur edhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës rreth lëndëve në gjykata që kanë të bëjnë me vepren penale - vrasje. Sipas këshillit gjyqësor, gjatë periudhës 2020 - 2021, në gjykatat e Kosovës janë pranuar gjithsej 87 lëndë me këtë lloj vepre. Ndërsa si lëndë të zgjidhura, gjatë kësaj periudhe janë gjithsej 194.

Në anën tjetër, për lëndët e pazgjidhura, nga ky institucion thonë se nuk kanë mundur që këtë statistikë ta përpunojnë nga sistemi.

Motivet

Njohësi çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, në një prononcim për gazetën Nacionale ka thënë se një ndër shkaktarët për këto vrasje është edhe numri i madh i armëve ilegale që qytetarët e Kosovës posedojnë.

“Shifrat e vrasjeve janë shqetësuese, dhe shumica e këtyre vrasjeve po kryhen nga armët ilegale, që tregon një shqetësim tjetër, pra një numër i madh i armëve ilegale gjenden në duar të qytetarëve”, thotë Ibishi.

Ndërkaq, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, në duart e qytetarëve të Kosovës janë rreth 250 mijë armë ilegale. Sipas ekspertëve të sigurisë, kjo shifër paraqet rrezik për jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike. Nga 74 milionë të punësuar në BE për shkencë dhe teknologji, 52 për qind ishin gra – Kosova larg këtyre shifrave.

Në bazë të kësaj shifre, i bie që çdo i shtati qytetar potencialisht mund të ketë një armë pa leje.

Sipas MPB-së nga hulumtimi i fundit janë rreth 100 mijë armë ilegale më pak. Në kohën e hulumtimit të cilit i referohet kjo ministri kanë qenë rreth 360.000 armë ilegale.

Deri në vitin 2010 sipas MBP-së, rreth 35.000 armë janë regjistruar në administratën e UNMIK-ut.

Në pesë vitet e fundit, sipas të dhënave zyrtare, Policia e Kosovës ka konfiskuar 6 538 armë pa leje.

Ibishi thotë se për shkak të procedurave të komplikuara dhe kostos financiare që ka procesi i legalizimit të armëve, qytetarët dekurajohen që të legalizojnë armët.

“Për legalizim taksat janë shumë të larta dhe shpesh qytetarët janë të prirë ta mbajnë armën ilegalisht e mos ta dorëzojnë për shkak se taksat janë të larta për legalizim, nëse e kryen krejt procedurën diku 300-400 euro. Përkundër që para dy ose tri viteve kishte filluar një proces për legalizim të armëve, (ai) nuk e dha rezultatin e pritur, për shkak se vetë legalizimi i këtyre armëve përcillet me taksa të larta për legalizim”, thotë Ibishi.

Sipas tij, për armët të cilat nuk kanë të drejtë të legalizohen, duhet të ndiqen praktikat e shteteve post-konfliktuoze, siç është kundërshpërblim në këmbim të dorëzimit të armëve.

“Armët tjera që duhet të konfiskohen, gjegjësisht të dorëzohen si armët ushtarake apo versionet eksplozive të armëve, për ato duhet të zgjidhet një sistem i dhënies me shpërblim, pra me kundërvlerë, siç e kanë shumë vende të rajonit, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Kroacia e vende të tjera që e kanë kalu luftën. Fatkeqësisht, kjo praktikë nuk është përcjellë në Kosovë”, thotë Ibishi, dhe sipas tij, nëse përcillen këto praktika edhe numri i vrasjeve mund të ulet dhe qytetarët i përgjigjen pozitivisht thirrjeve për legalizim dhe dorëzim të armëve.

Kurse sipas sociologut Ferdi Kamberi, fenomeni i vrasjeve që pas vitit 1999 në Kosovë ka pasoja shumë të rënda për shoqërinë në përgjithësi. Sipas tij kjo situatë prodhon pasoja të rënda dhe një shoqëri të dhunshme.

“Fenomeni i vrasjeve në Kosovë pas vitit 1999 e këtej është shndërruar në ato fenomene të cilat kanë pasur një rritje dhe pasoja jashtëzakonisht të rënda për familjen, komunitetin dhe shoqërinë në përgjithësi. Ky fenomen është shqetësues për shoqërinë kosovare për shkak se atakon drejtpërdrejt jetën e individit dhe bart në vete një mori pasojash të cilat mund të reflektojnë në periudhat afatgjata dhe nëse nuk merren masa preventive me kohë, atëherë ky fenomen mund të jetë në rritje që do të reflektonte edhe në gjeneratat e reja, duke prodhuar kështu një shoqëri të dhunshme”, thotë Kamberi për Nacionale.

Ai përmend disa shkaqe të vrasjeve. Sipas tij janë periudha e tejzgjatur e tranzicionit që sipas tij ka prodhuar një krizë vlerash dhe identiteti, e po ashtu për sociologun, edhe konfliktet ndërpersonale për “motive të ulëta” dhe gjakmarrja janë shkak për këto ndodhi.

“Pastaj afekti, xhelozia, gjendja psikologjike e krijuar nga mbidoza, problemet me alkool, depresioni kronik, stresi post-traumatik, sidomos i cili shfaqet në ato vende të cilat kanë pasur konflikte ose lufta dhe zakonisht ndodh pas një periudhe 15-20 vjeçare, gjë që është evidente te shoqëria kosovare. Po ashtu, faktorë dhe motive të tjera janë edhe numri i madh i armëve të cilat janë në duart e qytetarëve, faktorët individualë, faktorët socio-ekonomikë (borxhet, fajdet, ose konfliktet për gjëra të tilla)”, tregon Kamberi, i cili thotë se në kontekstin sociologjik, vrasjet ndodhin edhe si rezultat i modelit kulturor dhe sjelljes së të mësuarit me gjuajtje me armë dhe prezencës së lartë të armëve në duart e qytetarëve.

“Rritja e këtij fenomeni, pa dyshim se paraqet një problem gjithëshoqëror për shkak se përveç që bart në vete pasoja të shumta tek individi, familja, komuniteti dhe vetë shoqëria, ndër to: izolimi social, mungesa e integrimit shoqëror, problemet me stresin dhe depresionin, shpërfaqje e panikut dhe pasigurisë sociale, humbje e besimit ndaj institucioneve të vendit, mundësi e gjakmarrjes, linçimit publik (stigma), ndërprerjen e shkollimit për fëmijët, vuajtjet e tyre, si dhe pasoja të tjera”, përfundon Kamberi.

Lajme të ngjashme