Raportohet për aksion policor, çka po ndodh në veri? - NACIONALE

Raportohet për aksion policor, çka po ndodh në veri?

4 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Raportime të shumta janë regjistruar në orët e vona të së premtes lidhur me një operacion të Policisë së Kosovës në veri.

Syri.net Kosova madje shkroi se është arrestuar krahu i djathtë i Milan Radoiçiq.

Ndër tjerash thuhet se aksioni është duke u zhvilluar në Leposaviq dhe Zubin Potok dhe se po bëhet për të parandaluar kontrabandën, kryesisht atë të ushqimit.

S'ka informacione

Megjithatë, nga policia rajonale e veriut nuk janë në dijeni për ndonjë operacion të tillë të Policisë së Kosovës.

“Nuk kam asgjë. Policia rajonale e veriut nuk ka asgjë”, tha për Nacionalen Besim Hoti, zëvendës-komandant i policisë në veri të vendit.

Përveç këtij, Nacionale ka tentuar të kontaktojë me zëdhënësit policorë në kryeqendër, por asnjëri prej tyre nuk ka qenë i qasshëm.

Në anën tjetër, një zyrtar policor që është i angazhuar në atë pjesë, në kushte anonimiteti i ka thënë gazetës që nuk janë të informuar për ndonjë aksion ose operacion të Policisë.

Kujtojmë se, pasditen e sotme Demokracia.com ka raportuar se kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për të dielën e 31 korrikut.

Mediumi respektiv, duke u thirrur në burime shkruan se kjo mbledhje do të mbahet në orën 20:00 dhe se pika e vetme e rendit të ditës është shqyrtimi i gjendjes së sigurisë në vend.

Ndërkaq, Paparaci ka siguruar një video ku shihen patrulla policore në drejtim të veriut të vendit.

Kontrabanda

Kontrabanda ka qenë pika kyçe e angazhimeve të deritanishme të autoriteteve të sigurisë në pjesën veriore.

Madje, së fundi, zyrtarët kanë hasur edhe në sulme nga ata që po kontrabandonin.

Një sulm i këtillë u regjistrua hiç më larg se një javë më parë, kur pesë policë mbetën të lënduar.

Ngjarja ndodhi në fshatin Jashanicë të Leposaviqit, kurse prokuroria ka vendosur për 30 ditë paraburgim për të dyshuarin.

Duhet përmendur faktin që Policia e Kosovës ka shpeshtuar numrin e aksioneve në veçanti në atë pjesë të Kosovës.

Gjithsesi për këtë dhe lajme të tjera, Nacionale do t'ju raportojë në kohë reale për çdo risi eventuale.

Lajme të ngjashme