Nuk di, nuk merren, nuk më intereson: Sylë Hoxha shpërfillës kur pyetet për rastin Astrit Dehari - NACIONALE

Nuk di, nuk merren, nuk më intereson: Sylë Hoxha shpërfillës kur pyetet për rastin Astrit Dehari

3 vjet më parë

nga Elmedina Ballazhi

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi dhe ish-aktivistët Frashër Krasniqi dhe Adea Batusha, të cilët akuzoheshin për veprën penale “terrorizëm”, dje u shpallën të pafajshëm. Ata akuzoheshin se në gusht të vitit 2016, e sulmuan me zollë Kuvendin e Kosovës.

Ish-prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxhën, që dikur hetonte këtë lëndë, nuk ka dashur të komentojë gjatë vendimin e ri të Gjykatës Themelore të Prishtinës. Në një prononcim për Nacionalen, ai ka thënë se nuk ka çfarë të komentojë, pasi tash është në pension.

“S’kam hiq çka i komentoj, shko pytni ato prokurorët e çështjes se unë tash jam në pension, e nuk më takon mua t’i komentoj vendimet e tyre. Unë e di se kanë qenë këta të dënuar edhe Astrit Dehari, unë as që kam lidhje me këtë punë”, ka deklaruar ai për Nacionalen.

“Nuk komentoj”

Por z. Hoxha nuk ka folur edhe për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, nga laboratori i Toksikologjisë në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore, që është në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë.

Ish-prokurori Hoxha s’ka dashur t’i komentojë, duke deklaruar se le të merren prokurorët e gjyqtarët që janë të lidhur direkt me ta.

“Ata më së miri e din ministrja e Drejtësisë, se kjo është në përkujdesjen e kësaj ministrie pra mjekësia ligjore, ata e din më së mirë se çka kanë bërë në lidhje me këtë rast, unë jam jashtë këtyre rrjedhave. E di se si erdhën ata në pushtet, unë tash jam në pënsion, më nuk merrna me këto komente e më këto punë, le të merren ata që janë direkt të lidhur. Ka prokurorë e gjyqtarë që i kanë pasur këto raste ata i dinë më së miri këto”, ka deklaruar Hoxha.

I pyetur për kallëzimin penal ndaj tij, që iu bë vitin e kaluar nga familja Dehari, Hoxha theksoi se ende s’ka informata në lidhje me këtë çështje.

“Unë ende nuk di se çfarë është bërë më atë kallëzim penal. Nuk kam informata.” - ka thënë ish-prokurori, Sylë Hoxha.

Çka ndodhi dje?

Gjykata Themelore në Prishtinë të marten shpalli një aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës. Sipas aktgjykimit, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi lirohen nga aktakuza, pasi nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale që iu vihej në barrë, shkruan Gazeta Nacionale.

Krasniqi dhe Batusha nuk janë më në Vetëvendosje, por Arifi me Halitin vazhdojnë që të jenë aktivistë të partisë më të madhe në Kosovë.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarve u shpall të martën e 27 dhjetor, nga kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili. Ai që ishte dënuar më së shumëti në gjykimin e parë, ishte Frashër Krasniqi, të cilin Gjykata Themelore ia pati dhënë tetë vjet burg.

Krasniqi dje i ka thënë Nacionales se ata u shpallën të pafajshëm, sepse ju dha përparësi profesionalizmit e jo ndikimeve politike.

“Për më shumë se dy vite që ky rast ka fillu me u rigjyku sipas vendimit të Apelit. Prej fillimit të procesit krejt çka kemi kërku ne është që të shqyrtohen provat e deklaratat e kësaj lënde në mënyrë profesionale dhe të paanëshme. Sot trupa gjykuese e vërtetoi pafajësinë tonë, jo se ka pasur anëshmëri, por sepse thjesht ju ka dhënë përparësi shqyrtimit profesional të provave dhe fakteve, që sot u dëshmuan që janë shfajësuese për ne.” – ka thënë Krasniqi.

Për Aktgjykimin lirues ka shkruar një status në faqen e tij edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në reagimin e tij, ai ka përmendur edhe aktivistin e ndjerë, Astrit Dehari.

“Në gusht të vitit 2016 u arrestuan aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për një sulm që kishte ndodhur ndaj Kuvendit të Kosovës. Ishte kjo ndër përpjekjet e mëdha për ta eliminuar Lëvizjen tonë nga skena politike. Sot, 6 vite më vonë aktivistët tanë shpallen të pafajshëm ndaj kësaj akuze. Ndonëse drejtësi e vonuar, megjithatë duhet përshëndetur për vendimin meritor final”, ka shkruar Kurti./ Nacionale.

Lajme të ngjashme