Ish-polici Dejan Pantiq dërgohet në arrest shtëpiak - NACIONALE

Ish-polici Dejan Pantiq dërgohet në arrest shtëpiak

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Polici Dejan Pantiq, i cili u arrestua më 10 dhjetor në vendkalimin administrativ Jarinje dhe është ende në paraburgim, do të lirohet për t’u mbrojtur në arrest shtëpiak, i është konfirmuar Nacionales nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Pantiq fillimisht do të dërgohet në spital, sipas B92, ku do të monitorohet gjendja e tij e përgjithshme, duke qenë se ka qëndruar gati tri javë në Jarinje, në bazën e Policisë së Kosovës.

“Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për zëvendësimin e masës së Sigurisë nga Paraburgimi në arrest shtëpiak. Gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe Dejan Pantiq duke e zëvendësuar masën nga paraburgimin në arrest shtëpiak”, ka thënë për Nacionalen Mirlinda Gashi, zëdhënëse në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Lirimi i Dejan Pantiqit është kërkesa e parë e serbëve nga veriu i Kosovës të cilët në shenjë proteste ngritën barrikada në disa vende, ku qëndrojnë edhe sot e kësaj dite.
Kërkesën për lirimin e Pantiqit e ka bërë publikisht edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili gjatë gjithë kohës është në kontakt me bashkëshorten e Pantiqit, Suzana Pantiq.

Sipas raportimeve, Pantiq fillimisht do të dërgohet në spital, ku do të monitorohet gjendja e tij e përgjithshme, duke pasur parasysh faktin se ai ka kaluar gati tre javë në bazën e Policisë së Kosovës në Jarinje.

Ndërkohë, lajmi është konfirmuar edhe nga avokati i z. Pantiq, Nebojsha Vllaiq.

Kujtojmë që barrikadat në veri ishin vendosur pikërisht për të kërkuar lirimin e z. Pantiq nga paraburgimi. Ata e konsideronin arrestimin e tij si të motivuar politikisht, gjë që është mohuar vazhdimisht nga autoritetet e Kosovës. Avokati Vllaiq kishte pretenduar madje edhe se kishte prova me video se për momentin kur akuzohej Pantiq të kishte kryer veprën penale ai shihej derisa po blinte artikuj ushqimorë. Sidoqoftë, më vonë, barrikaduesit kishin shtruar edhe kërkesa tjera për heqjen e barrikadave.

Pantiq dyshohej për organizimin e “sulmit terrorist” të datës 6 dhjetor ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Apele për lirimin e Pantiqit kishin bërë edhe bijtë e tij, djali i tij Predragu dhe e bija e tij Ivana. Ata kishin thënë se gjendja shëndetësore e kryefamiljarit kishin qenë e vështirë. Në disa raste, zyrtarë të EULEX ishin parë duke i çuar medikamente atij.

Seanca gjyqësore për Pantiqin ishte mbajtur më 12 dhjetor, dhe për të cilin Prokuroia kishte kërkuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Lajme të ngjashme