“Terrorizëm”, për çka akuzohet Dejan Pantiq që sot u dërgua në arrest shtëpiak? - NACIONALE

“Terrorizëm”, për çka akuzohet Dejan Pantiq që sot u dërgua në arrest shtëpiak?

3 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Ish Polici Dejan Pantiq, i cili u arrestua më 10 dhjetor në vendkalimin në Jarinje e që me vendim gjykate ishte në paraburgim deri sot, do të lirohet për t’u mbrojtur në arrest shtëpiak, kjo i është konfirmuar Nacionales nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për zëvendësimin e masës së Sigurisë nga Paraburgimi në arrest shtëpiak. Gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe Dejan Pantiq duke e zëvendësuar masën nga paraburgimin në arrest shtëpiak”, ka thënë për Nacionalen Mirlinda Gashi, zëdhënëse në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Por, për çka akuzohet Pantiq?

Dejan Pantiq, ish polici i Kosovës, akuzohet për dy vepra shumë të rënda, të parapara me kodin penal të Kosovës.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, pati shkruar në Facebook, dy nga akuzat që rëndojnë mbi të akuzuarin Pantiq.

“Sulm kundër rendit kushtetues” është vepra e parë për të cilën ministri tha se akuzohet Pantiq.

Kjo vepër sipas Kodit Penal të Kosovës, në secilin rast është e dënueshme jo më pak se 5 vjet burgim.

Kurse sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kur iu caktua masa e paraburgimit para dy javëve Pantiqit, aty u bë e ditur se ai akuzohet për, “kryerjen e veprës terroriste nga neni 129”.

Edhe ky nen parasheh dënim të rëndë. Në secilin rast 5 vjet e më tepër burgim.

Varësisht prej mënyrës së kryerjes, minimumi i denimit për këtë vepër mund të jetë në rastin më të lehtë, jo më pak se 5 vjet, e në rastin më të rëndë jo më pak se 15 vjet burgim.

Për një akuzë të tillë, Pantiq po mbahej në paraburgim deri sot.

Sot Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka zëvendësuar këtë masë për të akuzuarin, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale.

Nuk dihet se si do të arsyetohet ligjërisht ky veprim i institucioneve të drejtësisë, por ajo që tashmë është evidente, është se kryeministri Kurti, e bashkë-partiakët e tij, po shfaqen të “nervozuar” me këtë vendim.

“Nuk e di çështjen gjyqësore të atij që është i pandehur, e mbahet në Jarinje, për shkak se nuk mund të dërgohej në burg zyrtar, në qëndrim të paraburgimit, ai e ka statusin e të paraburgosurit, por është i pandehur për terrorizëm. Ajo që kam dëgjuar, meqenëse ishte në grevë të urisë dhe kishte probleme në zemër, mund të dërgohej në spital, që është e kuptueshme. Por a është e arsyeshme? E vendos gjyqësori. Pra është gjykatësi i procedurës paraprake. Kur ke një akuzë për terrorizëm e të dërgohesh në arrest shtëpiak, e unë jam kurreshtar ta marrë vesh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë dhe ai gjykatës i procedurës paraprak që e kanë marrë këtë vendim,” - ka thënë Kurti.

Lajme të ngjashme