Shpallen të pafajshëm aktivistët e VV-së për sulmin me zollë ndaj Kuvendit të Kosovës - NACIONALE

Shpallen të pafajshëm aktivistët e VV-së për sulmin me zollë ndaj Kuvendit të Kosovës

3 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Ish aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, akuzoheshin për veprën penale “terrorizëm”. Ata u akuzuan se në gusht të vitit 2016 e sulmuan me zollë Kuvendin e Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarve u shpall të martën më 27 dhjetor, nga kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili.

Sipas aktgjykimit, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi lirohen nga aktakuza, pasi nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale që iu vihej në barrë.

Krasniqi dhe Batusha nuk janë më në Vetëvendosje, por Arifi me Halitin vazhdojnë që të jenë aktivistë.

Shpenzimet procedurale për këtë rast bien në barrë të gjykatës.

Ai që ishte dënuar më së shumëti në gjykimin e parë, ishte Frashër Krasniqi, të cilin Gjykata Themelore ia pati dhënë tetë vjet burg.

Sot kur po nga Themelorja e fitoi pafajësinë, Krasniqi i ka thënë Nacionales se u shpallën të pafajshëm sepse ju dha përparsi profesionalizmit e jo ndikimeve politike.

Për më shumë se dy vite që ky rast ka fillu me u rigjyku sipas vendimit të Apelit. Prej fillimit të procesit krejt cka kemi kërku ne është që të shqyrtohen provat e deklaratat e kësaj lënde në mënyrë profesionale dhe të paanëshme. Sot trupa gjykuese e vërtetoi pafajësinë tonë, jo se ka pasur anëshmëri, por sepse thjesht ju ka dhënë përparësi shqyrtimit profesional të provave dhe fakteve, që sot u dëshmuan që janë shfajësuese për ne.” - ka thënë Krasniqi.

Rasti ishte kthyer në rigjykim - ku Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Ardhe Arifi - akuzoheshin se janë përgjegjës për sulmin në Kuvendin e Kosovës në gushtin e vitit 2016, që është kualifikuar si vepër terroriste.

Për Aktgjykimin lirues ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në reagimin e tij, ai ka përmendur edhe aktivistin e ndjerë, Astrit Dehari.

Kurti përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se arrestimi i tyre ishte përpjekje për ta eleminuar partinë e tij nga skena politike.

“Në gusht të vitit 2016 u arrestuan aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për një sulm që kishte ndodhur ndaj Kuvendit të Kosovës. Ishte kjo ndër përpjekjet e mëdha për ta eliminuar Lëvizjen tonë nga skena politike. Sot, 6 vite më vonë aktivistët tanë shpallen të pafajshëm ndaj kësaj akuze. Ndonëse drejtësi e vonuar, megjithatë duhet përshëndetur për vendimin meritor final.” – shkroi ai.

Aktivistët e VV-së, ishin dënuar në gjyqin e parë

Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë ish-deputetin e Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, si dhe tre aktivistët e tjerë, Atdhe Arifi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti, të cilët akuzoheshin për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

Gjykata kishte vendosur që tashmë nënkryetari i PSD-së, Frashër Krasniqi të dënohej me tetë vjet burgim, Atdhe Arifi me gjashtë vjet, Egzon Haliti me pesë vjet e gjashtë muaj, ndërsa Adea Batusha ishte dënuar me dy vjet burgim.

Para dy vjetëve Apeli e ktheu në rigjykim rastin pas ankesave nga mbrojtja.

Kolegji i instancës së dytë gjyqësore, kishte vlerësuar se aktgjykimi i themelores ishte bërë me shkelje ligjore dhe e kishte anuluar të njëjtin dhe në këtë mënyrë, lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

5 Gushti, demarkacioni, sulmi:

5 gushti i vitit 2016, e gjeti Kosovën në një situatë krejt të pazakontë e të pa parë më herët.

Objekti i Kuvendit të Kosovës ishte sulmuar me zollë.

Sulmi kishte ardhur pak ditë para se në Kuvend të diskutohej, ajo që do të bëhej arsye për protestë, e për rrëzim e mbajtje të pushtetit, diskutimet për Demarkacionin me Malin e Zi.

Policia pati nisur hetimet pa humbur kohë.

“Rugovasit” çuditën opinionin, kur në adresë të mediave dërguan një letër me anë të së cilës e merrnin përgjegjësinë për sulmin.

Ani pse dikush tha se “ne jemi përgjegjës”, hetimet e Policisë dërguan krejt tjetërkah.

Më 30 gusht të vitit 2016, policia e Kosovës kishte bërë të ditur se në lidhje me rastin janë arrestuar gjashtë aktivistë atëbotë të gjithë të Vetëvendosjes.

Në mesin e tyre ishte edhe tashmë i ndjeri, Astrit Dehari, i cili gjatë qëndrimit në paraburgim kishte ndërruar jetë.

Menjëherë pas arrestimit policia kishte mbajtur një konferencë për media, ku ishte thënë se kishin prova të mjaftueshme që e vërtetonin, se aktivistët e VV-së janë të dyshuarit kryesor për sulmin ndaj Kuvendit.

Prokurori nga Prokuroria Speciale, Abdurrahim Islami kishte thënë se hetimet e policisë nga përgjimet e kishin vërtetuar këtë.

Përmes përgjimeve i kemi vërtetuar dyshimet të cilat janë mbledhur më herët nga ana e Policisë dhe prokuroria ka ardhur në përfundim dhe ka urdhëruar edhe bastisje ku janë gjetur edhe armë dhe kemi ardh deri te dyshimi i arsyeshëm se këta 6 të dyshuar për të cilët këta të dyshuar kanë kryer vepër penale”, kishte thënë Islami.

Lajme të ngjashme