Javë “speciale”: Gjykata Speciale arreston Isni Kilajn e bastis ish-këshilltarët e Thaçit
Katër bastisje dhe një arrestim brenda pesë ditëve. Gjykata Speciale u dha leje zyrtarëve të ZPS-së, që gjatë kësaj jave të kërkonin prova të mundshme nëpër shtëpitë dhe banesat e ish-këshilltarëve të ish-presidentit Hashim Thaçi, saktësisht në pronat e Blerim Shalës, Bashkim Smakajt, Artan Behramit dhe në fund Ismail Sylës. Ndërsa, sot nga po të njëjtit është arrestuar ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj.
30 tetor 2023
Zyrtarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të koordinuar me EULEX-in dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në mëngjesin e hershëm të së hënës filluar bastisjet në banesat e Blerim Shalës dhe Bashkim Smakajt, të cilët dikur ishin ish-këshilltar të presidentit, Hashim Thaçi.
Në banesat e tyre, nga ZPS-ja u konfiskuan materiale të dyshuara, që ndërlidheshin me pengimin e administrimit të drejtësisë, kështu bëri të ditur avokati i tyre, Artan Qerkini.
Qerkini për media deklaroi se “mund të gjenden prova me relevancë për procedurat që janë duke u zhvilluar”. Por sipas tij “Gjykata me lehtësi shumë të madhe po i lëshon urdhrat për bastisje, sepse dihet që me këto urdhra cenohen të drejtat kushtetuese të personit, cenohet paprekshmëria e banesës, cenohet privatësia”.
31 tetor 2023
Të martën bastisjet me urdhër të Gjykatës Speciale vazhduan edhe më tej, kësaj radhe cak ishte ish-këshilltari i Thaçit, Artan Behrami.
Avokati Artan Qerkini kishte deklaruar se mund të ndërmarrin hapa konkretë, ligjorë për ta kundërshtuar këtë veprim i cili bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Para gazetarëve, Qerkini, kishte deklaruar se në banesën e Behramit u konfiskuan pajisje dhe dokumente që nuk kanë fare relevancë për gjykimet. Ai ndër të tjera shtoi se janë konfiskuar iPad-ët e fëmijëve që në dukje të parë shiheshin se shërbejnë për shkollimin dhe lojërat e fëmijëve.
“Edhe bastisja e sotme ishte një përpjekje e dëshpëruar e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të siguruar kinse prova për procedurat të cilat janë në rrjedhë e sipër në Gjykatën Kushtetuese.” – ka deklaruar avokati Qerkini.
Për këtë bastisje ka reaguar edhe vet Behrami, ku ka thënë se ia kanë konfiskuar telefoni dhe ndër të tjera, bastisjet i ka quajtur si aksione politike.
“Është duke investuar më shumë në propagandë sesa në drejtësi, për çka është krijuar kjo gjykatë.” – ka thënë Behrami.
1 nëntor 2023
Pas bastisjet të banesat e Smakajt, Shalës dhe Brahmit, radha i erdhi edhe një tjetër ish-këshilltarit të Thaçi, Ismail Sylës.
Të mërkurën, ZPS-ja, me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës zbarkuan në shtëpinë e Sylës, ku avokati Qerkini, deklaroi se njësoj si te pronat e të tjerëve, edhe të Syla kishin kërkuar dëshmi të mundshme në lidhje me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.
“Edhe ai, si z. Behrami e disa të tjerë nuk e kanë fare statusin e personit të dyshuar, por edhe përkundër faktit që nuk e kanë statusin e personit të dyshuar ata po bastisen. Mendoj se kjo është shkelje kushtetuese dhe ligjore, mirëpo ne këto shqetësime do t’i adresojmë përmes mjeteve juridike në fazën adekuate të procedurës.” – ka deklaruar Qerkini.
3 nëntor 2023
Veprimet e zyrtarëve policor nuk mbarun më kaq, në orët e para të së premtes ata arrestuar ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, që tashmë edhe është transferuar për në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Pas arrestimit të tij specialja ka dhënë detaje, ku kanë thënë se arrestimi i tij lidhet me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe shkeljen e sekretit të procedurave.
“Isni KILAJ është arrestuar në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) sipas një urdhri arrestimi të lëshuar nga Prokurorja e Specializuar. Ai është transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para Gjykatësit të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës pa vonesa të panevojshme.”
“Z. KILAJ u arrestua për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) të vitit 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe shkeljen e sekretit të procedurave sipas nenit 392 të KPK-së, dhe nenet 15(2) e 16(3) të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Të dielën më 5 nëntor bëhen 3 vjet nga arrestimi i krerëve të UÇK-së. Me këtë rast, Nacionale të dielën publikon intervistën me avokatin e Hashim Thaçit të realizuar në Hagë.


