Rrëfim nga Haga: Kryeqendra e betejave të Kosovës me drejtësinë - NACIONALE

Rrëfim nga Haga: Kryeqendra e betejave të Kosovës me drejtësinë

3 vjet më parë

nga Besian Beha

Nëse do të duhej të përzgjedhej një vend nëpër Evropë e botë ku Kosova ka zhvilluar, e në shumë raste ka fituar, beteja të ndryshme me drejtësinë pa pikën e dyshimit ky vend është Haga.

Këto beteja nisën së pari me Tribunalin për krime lufte në ish-Jugosllavi, apo siç njihej Tribunali i Hagës. Atje do të akuzoheshin për krime lufte disa nga ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kryesorët ishin Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj.

Më vonë, Limaj e Haradinaj u shpallën të pafajshëm. Madje, Haradinaj i pafajshëm doli edhe në një rigjykim. Ndodhën këto ndërmjet viteve 2005-2012. Përgjatë këtyre viteve Limaj ishte shpallur i pafajshëm, pastaj edhe Haradinaj. E më vonë u zhvillua edhe rigjykimi.

Vetëm pak metra në distancë me objektin e Tribunalit të Hagës, po në këtë qytet, ndodhet objekti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Këtu Kosova do ta zhvillonte një nga betejat më të rëndësishme me drejtësinë. Kjo për ta konfirmuar shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Kjo edhe ndodhi. Më 22 korrik të vitit 2010, GjND-ja do ta konfirmonte se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë prej ligjeve e as praktikave ndërkombëtare. Ky vendim mbetet si argumenti e rruga kryesore për ta prezantuar pavarësinë e Kosovës edhe përballë atyre që e mohojnë.

Nëse dikush mendonte se përvoja e Kosovës me Hagën do të merrte fund në vitin 2010 apo 2012, doli se ishte gabim. Kosova pas raportit të Dick Martyt u përballë me një presion të ashpër për ta krijuar një gjykatë që do të trajtonte pretendimet për krime lufte.

Edhe pse Task Forca Hetimore e udhëheqëur nga Clint Ëilliamson konfirmoi se nuk ka pasur asnjëherë trafikim organesh, hetimi i krimeve të tjera të luftës sërish ishte kërkesa kryesore e ndërkombëtarëve për Kosovën.

Si rezultat, Kosova miratoi ndryshimet kushtetuese dhe Ligjin për krijimin e Dhomave të Specializuara. Edhe selia e këtyre të fundit do të ishte në Hagë. U deshtën disa vjet hetime për të pasur edhe aktakuzat e para.

Salih Mustafa u akuzua i pari. Pastaj Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Dhe aktakuza kryesore ajo ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Katërshja kryesore e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po e vazhdon betejën me drejtësinë që nga nëntori i vitit 2020. Atyre nuk iu është mundësuar lirimi nga paraburgimi, kurse 2 vjet e gjysmë kaluan deri në nisjen e gjykimit.

Për detajet rreth procesit gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së, iu ftojmë ta ndjekni videon e mëposhtme të realizuar nga Nacionale:

Lajme të ngjashme