Gjykimi special: Pse po largohen prokurorët më të rëndësishëm nga Haga?
Dhomat e Specializuara në Hagë kanë shpallur konkurs për dhjetëra pozita të cilat kanë mbetur të zbrazëta si pasojë e disa largimeve, madje në pozita kyçe.
Në Hagë po kërkohet zv/prokuror i specializuar, apo në më të thjeshtë zv/kryeprokuror. Po kërkohet gjithashtu edhe shef i hetimeve për ta mbuluar largimin e Alex Ëhiting, njeriut kryesor të hetimeve në rastin e krerëve të UÇK-së. Për këtë, do të flasim vetëm pak më vonë.
ZPS-ja po kërkon prokuror të lartë, prokuror, bashkëprokuror, zyrtar ligjor, hetues dhe zyrtarë të tjerë që do të jenë të përfshirë direkt në procedurat që janë në Hagë.
Dhjetëra pozita të tjera janë teknike si: zyrtar i prokurimit, asistent, zyrtar për financa, zyrtar ligjor, zyrtar i sigurisë dhe pozita të tjera.
Krejt këto konkurse e punësimet në këto pozita kanë ardhur si rezultat i largimit të disa figurave më të rëndësishme të Prokurorisë. Madje, figura që janë marrë me hetime dhe e kanë pasur barrën kryesore në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Që nga krijimi i Gjykatës Speciale në total janë larguar 5 prokurorë me pozicione tejet të rëndësishme, shumica prej tyre kryeprokuror e zv/kryeprokuror: David Schwendiman, Kwai Hong Ip, David Harpbach, Jack Smith e Alex Whiting.
David Schwendiman kishte qenë Prokurori i parë i Specializuar që ishte emëruar në Speciale, në shtator të vitit 2016. Pavarësisht se kishte mandat 4-vjeçar, atij në vitin 2018 iu kërkua ta lëshonte detyrën. Kjo për shkak se sipas tyre, kishte kaluar koha sipas ligjit amerikan për shërbim për një pensionist që kishte marrë përsëri një funksion publik. Disa muaj më vonë Shwendiman kishte thënë për The Guardian se ai kishte marrë zotime që do t’i lejohej ta kryente mandatin. Ai deklaronte se ka kërkuar pavarësi të plotë në punë.
Në mars 2018 në një fjalim që kishte mbajtur, Schwendiman ngriti dilema të tjera se largimi i tij nuk ishte rastësi. Ai konfirmoi se nuk ka dhënë dorëheqje, por vetëm u thirr dhe iu tha se koha e tij në këtë pozitë ka mbarur. Po në atë fjalim, Schëendiman deklaronte se kishte vendosur standarde të larta për prova e dëshmi para ngritjes së aktakuzës. Ai theksonte se shtetet e BE-së, donatorët, duhet të shmangin cenimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Që nga ajo kohë, largimi i Schwendiman mbetet mister.
Përkohësisht vendin e Schëendiman e kishte zënë Kwai Hong Ip si zv/prokuror i Specializuar. Megjithatë, edhe ky në vitin 2020 vendosi të dorëhiqej. Largimi i tij erdhi pikërisht në kohën kur ndodhi skandali me dosje që dërgoheshin në zyrat e veteranëve. Prokuroria e mohoi se dorëheqja ndodhi për këtë arsye, megjithëatë edhe ky largim mbetet me shumë pikëpyetje.
Zëvendësues i përhershëm i Schwendimanit u emërua një koleg i tij amerikan, Jack Smith. Nuk kaloi shumë kohë e Smith ngriti aktakuzat e para, përfshirë edhe akuzën ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit, e Selimit. Por, para se të niste zyrtarisht gjykimi për aktakuzën që ai vet e ngriti, Jack Smith u largua. Ai e la në gjysmë punën, dhe shkoi për ta hetuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump.
Por, kaluan pak muaj, e Smith nuk mbeti vetëm. Ai në hetimin ndaj Donald Trump e mori edhe Alex Whitingun nga Prokuroria e Specializuar e Hagës. Whiting kishte qenë një nga prokurorët më me emër të Speciales. Ishte shef i hetimeve në rastin e krerëve të UÇK-së, e një kohë edhe zv/kryeprokuror. Pra, për pak muaj, Prokuroria e Specializuar mbeti pa dy nga figurat kryesore që kishin ndërtuar aktakuzat, duke lënë kështu në gjysmë punën e tyre.
Një tjetër largim ishte edhe David Harpbach. Prokurori i njohur e la punën në Hagë, dhe shkoi në Amerikë për t’u punësuar si avokat në një zyrë avokatie.
Pra, përgjatë këtyre viteve Prokurorinë e Hagës e lanë 5 prokurorë me emër. Shumica prej tyre, në pozita të larta si prokuror të specializuar e shefa të hetimeve. Për shumicën, arsyet mbeten ende mister, përderisa proceset në Hagë tashmë janë në fazën kryesore.
Prokurorja e re e Specializuar që u emërua si pasuese e Jack Smith, Kimberli West, ende nuk e ka nisur detyrën. Edhe pse e emëruar në fillim të qershorit, kur kanë kaluar gati 4 muaj nga vendimi për emërim, emri i saj ende nuk figuron në asnjë parashtrim apo dokument të Prokurorisë. Për këtë, Prokuroria e Specializuar në Hagë nuk ka pranuar të komentojë me asnjë detaj.