Specialja për arrestimin e Kilajt: Dyshohet për pengimin e personave zyrtarë dhe shkeljen e sekretit të procedurave
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dhënë detaje rreth arrestimit të ish-kryetarit të Malishevë, Isni Kilaj, ku kanë thënë se arrestimi i tij lidhet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe shkeljen e sekretit të procedurave.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se Kilaj është transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Isni KILAJ është arrestuar në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) sipas një urdhri arrestimi të lëshuar nga Prokurorja e Specializuar. Ai është transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para Gjykatësit të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës pa vonesa të panevojshme.”
“Z. KILAJ u arrestua për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) të vitit 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe shkeljen e sekretit të procedurave sipas nenit 392 të KPK-së, dhe nenet 15(2) e 16(3) të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
