Gërvalla në gjykata e prokurori: Komunikim institucional apo presion në emër të komunikimit?
Derisa pavarësia e gjyqësorit dhe e prokurorisë konsiderohet një nga shtyllat themelore të shtetit të së drejtës, vizitat e njëpasnjëshme të ministres në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla, në gjykata dhe prokurori kanë ngritur pikëpyetje të shumta.
Për javë me radhë, Gërvalla ka zhvilluar takime me kryetarët e gjykatave themelore dhe me kryeprokurorët e prokurorive themelore në Kosovë.
Pse po zhvillohen këto takime pikërisht tani? Cili është qëllimi i tyre? A bëhet fjalë për komunikim të zakonshëm institucional apo për një qasje që mund të perceptohet si përpjekje për të ushtruar ndikim mbi institucione që, sipas Kushtetutës, duhet të jenë të pavarura nga pushteti ekzekutiv?
Në demokraci, jo vetëm ndërhyrja e drejtpërdrejtë, por edhe krijimi i perceptimit për ndikim politik mbi sistemin e drejtësisë konsiderohet problematik. Për këtë arsye, çdo kontakt i shpeshtë dhe i veçantë ndërmjet përfaqësuesve të qeverisë dhe drejtuesve të gjykatave apo prokurorive meriton vëmendje dhe shqyrtim publik.
A kemi të bëjmë me një praktikë të zakonshme institucionale apo me një fenomen që duhet të ngrejë shqetësime për ruajtjen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë?
Për të sqaruar këto dilema, Gazeta Nacionale ka zhvilluar një intervistë me hulumtuesin dhe juristin e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Flamur Kabashi.
Bazuar në postimet e ministres Gërvalla, rezulton se ajo ka zhvilluar takime pothuajse me të gjithë kryetarët e gjykatave themelore në Kosovë, me përjashtim të kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë. Gazeta Nacionale i është drejtuar kësaj gjykate me pyetje lidhur me mungesën e takimit, ndërsa nga gjykata kanë bërë të ditur se, për shkak të angazhimeve të kryetarit, nuk ka qenë e mundur organizimi i tij.
Sa i përket sistemit prokurorial, Gërvalla nuk ka zhvilluar takim me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Në një përgjigje për Nacionalen, ky institucion ka deklaruar se sqarimet lidhur me këtë çështje duhet të kërkohen nga Ministria e Drejtësisë, duke na udhëzuar t’i drejtohemi asaj.
Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Drejtësisë për të marrë sqarime rreth këtyre takimeve. Megjithatë, deri në publikimin e këtij materiali, ministria nuk ka kthyer përgjigje, ndonëse vetë ministrja Gërvalla vazhdimisht ka deklaruar se pyetjet duhet të adresohen përmes emailit.