Më vjen turp, për ty, Albin - NACIONALE

Më vjen turp, për ty, Albin

1 orë më parë

nga NACIONALE

Fabulat janë të bukura kur ua lexojmë fëmijëve para gjumit. Ato nuk kanë detyrim të jenë të sakta, por edhe kur ua themi femijëve janë të shëmtuara kur s'kanë logjikë

Shkruan: Baton Haxhiu

Kur e dëgjova Albin Kurtin t’i tregonte diasporës historinë e një pronari gjerman që e pyet punëtorin shqiptar nëse, në rast se Rusia do ta sulmonte Gjermaninë, ai do të kthehej në Kosovë, nuk mendova për shqiptarin e shkret qe u be pjese e rrefimit imagjinar.

Mendova për gjermanin dhe për të gjithë gjermanët qe mund ta kenë dëgjuar fabulën të përkthyer.

Dhe menjëherë më erdhi ndër mend një mik i imi, Axel Dittmann. Ka jetuar për shume vite në Kosove dhe me Kosovën.

Kam pasur fatin ta njoh për vite me radhë. Nuk e kam dëgjuar kurrë të mbajë ligjërata për patriotizmin gjerman. Nuk e kam dëgjuar kurrë të kërkojë prova besnikërie nga njerëzit me të cilët punonte. Nuk e kam dëgjuar kurrë ta ndërtojë respektin mbi pyetje hipotetike. Por kam parë tek ai diçka që, ndoshta, vlen më shumë se çdo fjalim patriotik: një krenari të qetë për shtetin e vet. Një bindje të natyrshme se Gjermania nuk është vetëm vendi ku jeton, por një përgjegjësi që mbrohet.

Pikërisht për këtë arsye, ndërsa dëgjoja fabulën e Albin Kurtit, mendova se ose unë nuk kam kuptuar asgjë nga gjermanët gjatë gjithë këtyre viteve, ose ai po rrëfente një histori që nuk kishte asnjë lidhje me ta.

Albin, edhe unë kam një mik gjerman. Quhet Axel Dittmann. Nuk më ka pyetur kurrë se ku do të ikte po të sulmohej Gjermania. Nuk e kam dëgjuar kurrë ta ndërtojë besimin mbi frikën dhe as patriotizmin mbi largimin. Përkundrazi, prej tij kam mësuar se aleatët maten nga mënyra si qëndrojnë, jo nga mënyra si largohen. Se shteti nuk është hotel ku hyn e del sipas rrezikut, por përgjegjësi që mbrohet. Jam pothuajse i bindur se, po t’ia tregoja Axel-it historinë tënde, ai do të buzëqeshte me edukatën që e karakterizon dhe do të më thoshte vetëm një fjali: “Kjo nuk është mënyra si mendojmë ne”.

Dhe pikërisht aty fillon problemi.

Historia jote nuk e fyen vetëm logjikën. Ajo e nënçmon edhe dinjitetin gjerman. E paraqet një gjerman si njeri që, në vend se të mendojë si ta mbrojë vendin e vet, kërkon të dijë se ku do të largohet punëtori i tij shqiptar. Është e vështirë të besohet se një sipërmarrës gjerman, i formuar në kulturën politike të një shteti që sot investon miliarda euro në mbrojtje dhe diskuton seriozisht për përgjegjësinë qytetare, do ta ndërtonte karakterin e një njeriu mbi një pyetje kaq absurde.

Por ndoshta problemi nuk është fare Gjermania.

Problemi është mënyra si ti ndërton rrëfimin.

Sepse historia që tregove nuk është argument. Është një fabul morale. Struktura e saj është e thjeshtë: një refugjat shqiptar, një pronar gjerman, një pyetje hipotetike, një përgjigje heroike dhe një përfundim emocional. Është ndërtuar me kujdes që publiku të mos pyesë nëse ka ndodhur vërtet, por të ndiejë se duhet të kishte ndodhur.

Dhe kjo është arsyeja pse askush nuk pyet: si quhej ai pronar? Në cilin qytet jetonte? Çfarë kompanie kishte? Kur ndodhi kjo bisedë? A ekziston fare ai njeri?

Nuk pyetet, sepse fabula e ka kryer tashmë punën e saj.

Ka prodhuar emocion, moral dhe duartrokitje.

Kam filluar ta kuptoj se ky nuk është një rast i izoluar. Kjo është mënyra e tij e komunikimit. Albini rrallë e bind publikun me argumente. Më shpesh e fton të besojë një rrëfim. Në vend të analizës, ofron një histori. Në vend të provës, një personazh. Në vend të logjikës, një moral. Dhe kështu politika fillon të rrëshqasë nga territori i fakteve në territorin e besimit.

Kjo është arsyeja pse më kujtohet gjithmonë një dallim i thjeshtë.

Pse e vërteta është e vështirë për tu besuar dhe Argumenti gjithnjë kërkon prova.

Rrëfimi kërkon besim dhe pikërisht propaganda lind në çastin kur besimi kërkohet në vend të provës.

Fabulat janë të bukura kur ua lexojmë fëmijëve para gjumit. Ato nuk kanë detyrim të jenë të sakta. Mjafton të kenë një moral. Por kur një kryeministër fillon ta shpjegojë sigurinë evropiane me tregime që nuk i rezistojnë pyetjes së parë logjike, problemi nuk është më fabula. Problemi është bindja e tij se qytetarët nuk kanë nevojë për argumente. Mjafton një histori që tingëllon bukur dhe imagjinata do ta zëvendësojë të vërtetën.

Ky është, ndoshta, transformimi më i rrezikshëm i politikës moderne.

Sepse në fund nuk qeveris më ai që argumenton më mirë.

Qeveris ai që rrëfen më bukur.

Dhe kur një shtet fillon të drejtohet nga fabulat, rreziku nuk është se qytetarët do të besojnë një histori të pavërtetë.

Rreziku është se, pak nga pak, do të humbasin zakonin për të kërkuar të vërtetën./Albanien Post/

Lajme të ngjashme