Ushtria amerikane u kërkon ushtarëve ide “kreative” për ta ndëshkuar Iranin
Kërkesa nga një oficer i lartë në komandën e ushtrisë amerikane që po e zhvillon luftën e presidentit Donald Trump me Iranin erdhi përmes një shkrese elektronike: kemi nevojë për ide.
“Jemi duke kërkuar mënyra të reja kreative dhe jokonvencionale për t’i bërë presion dhe për ta ndëshkuar Iranin” – shkroi një oficer i departamentit të inteligjencës në Komandën Qendrore të ShBA-së në një porosi që iu dërgua të mërkurën një grupi të gjerë të analistëve ushtarakë, sipas një burimi të afërt me porosinë.
Një burim tjetër gjithashtu tha se një oficer i lartë ushtarak dërgoi një mesazh javën e kaluar duke kërkuar ide të reja për atë se si të trajtohet Irani, raporton televizioni CNN.
Kjo mënyrë e të kërkuarit të ideve, për të cilën zyrtarët ushtarakë thanë se është e pazakontë që të bëhet përmes postës elektronike, është një shenjë e opsioneve të kufizuara që i ka në dispozicion Trumpi për ta detyruar Iranin që të bëjë marrëveshje sipas kushteve të tij.
Me shpresë për gjetjen e një alternative, zyrtari në Komandën Qendrore e shtroi kërkesën përmes postës elektronike për të parë nëse ndokush ka ndonjë ide më të mirë. Burimi i dytë tha se Komanda Qendrore po shqyrton gjithçka, duke pranuar se ka nevojë që ta rivlerësojë strategjinë.
“Komanda Qendrore ka një histori të gjatë të të menduarit dhe të punuarit në mënyra inovative” – tha Kapiten Timothy Hawkins, zëdhënës i kësaj komande, në një deklaratë. “Admirali Cooper, në veçanti, i kontakton pjesëtarët e ekipit tonë të mrekullueshëm, pavarësisht rangut, që të arrihen nivelet më të larta të mundshme të performancës operacione” – tha ai.
Shkresa elektronike u dërgua para se Trumpi të kërcënonte me sulme të reja kundër Iranit, të cilat më pas i anuloi në fundjavë, pasi zyrtarët rajonalë – më saktësisht princi i Arabisë Saudite – ndërhyri duke e telefonuar presidentin dhe duke i bërë thirrje për depërshkallëzim.