Vrasja e dyfishtë në Vushtrri: Jetmir Sinani ankohet në Apel kundër dënimit prej 24 vitesh - NACIONALE

Vrasja e dyfishtë në Vushtrri: Jetmir Sinani ankohet në Apel kundër dënimit prej 24 vitesh

2 javë më parë

nga Eriola Cacaj

Jetmir Sinani, i akuzuari për vrasjen e dyfishtë në Vushtrri në vitin 2023, ka dalë para kolegjit të Gjykatës së Apelit.

Sinani nga Gjykata Themelore në Mitrovicë ishte dënuar me 24 vite burg për vrasjen e Liridon Musliut dhe Fatos Zenunit.

Rreth këtij aktgjykimi, palët kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

Kolegji i përbërë nga Xhevdet Abazi–kryetar, Skender Çoçaj–gjyqtar referues dhe Arben Hoti–anëtar, bëri të ditur se kundër vendimit të Themelores, Prokuroria ka parashtruar ankesë mbi dënimin, me të cilën ka propozuar që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe të akuzuarit t’i shqiptohet dënim më i ashpër.

Ankesë ka parashtruar edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Kushtrim Salihu, duke propozuar që të akuzuarit t’i shqiptohet dënim me burgim të përjetshëm.

Nga ana tjetër, ankesë ka parashtruar edhe përfaqësuesi i palës tjetër të dëmtuar, avokati Arbër Fazliu, i cili ka kërkuar që të shqiptohet një dënim më i ashpër për të akuzuarin.

Ankesën e tij para kolegjit gjykues të Apelit e elaboroi edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Fanol Krasniqi.

Jetmir Sinani është sulmuar në shtëpinë e tij, gjegjësisht afër vendit të punës, ku e ka mbajtur familjen me atë punë. Në ditën kritike, Jetmir Sinani ka qenë afër urës dhe kanë ardhur dy automjete; pa një shkak, të njëjtit ndalojnë, e shajnë, nxjerrin armët, gjuajnë në drejtim të tij, e rrahin Jetmirin dhe i rrahin edhe shokët e tij.” – ka thënë ndër të tjera avokati Krasniqi.

Ndër të tjera, avokati i të akuzuarit ka thënë se ka shkelje esenciale të dispozitave të KPRK-së, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje të Ligjit Penal dhe të vendimit mbi dënimin, duke propozuar që të ndryshohet aktgjykimi i atakuar dhe që i mbrojturi i tij të lirohet ose të dënohet për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” dhe t’i shqiptohet një dënim racional dhe konform dispozitave ligjore.

Nga ana tjetër, i akuzuari Sinani u shpreh se pajtohet me avokatin e tij dhe se nuk ka asgjë tjetër për të shtuar.

Lajme të ngjashme