Vëllai i Liridona Ademajt pas pamjeve të natës kritike: Pamë edhe videot e fundit të jetës së motrës sonë
Në seancën e mbajtur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj të akuzuarve Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla për vrasjen e Liridona Ademajt, janë shfaqur pamje nga kamerat e sigurisë.
Përmes këtyre pamjeve, Prokuroria ka arritur të zbulojë detaje lidhur me këtë vrasje, të cilat u prezantuan në kuadër të provave gjatë seancës.
Pas përfundimit të seancës, për media u deklarua vëllai i Liridona Ademajt, Leonard Ademaj.
Ai tha se për familjen e tyre kjo nuk ka qenë një ditë e lehtë, pasi kanë parë edhe momentet e fundit të motrës së tyre.
Ademaj shtoi se, sipas asaj që u prezantua, tre të akuzuarit e kishin planifikuar të gjithë vrasjen, duke theksuar se e gjithë ngjarja kishte ndodhur brenda vetëm shtatë minutave.