Thellohet kriza në KGJK: Dështon sërish zgjedhja e kryesuesit, rriten dyshimet për ndikim politik
Ka dështuar sërish zgjedhja e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, duke thelluar krizën institucionale dhe duke ngritur dyshime për ndërhyrje politike në një nga institucionet kyçe të drejtësisë.
Ani pse anëtarët u mblodhën edhe sot, procesi dështoi për shkak të mungesës së kuorumit. Situata bëhet edhe më e rëndë nga fakti se disa anëtarë, që mungojnë vazhdimisht, kanë deklaruar se janë të sëmurë, pa ofruar dëshmi konkrete.
Kandidati për kryesues, Rrustem Thaqi, e ka cilësuar këtë proces si tejet të rëndësishëm për funksionimin e sistemit gjyqësor.
Në mbledhjen e mbajtur të martën, ai ka ngritur alarmin duke akuzuar se disa anëtarë të KGJK-së po i sinkronizojnë veprimet e tyre me parti të caktuara politike, duke lënë të kuptohet për ndikim të drejtpërdrejtë politik në vendimmarrje.
Edhe pse nuk përmendi emra konkretë, Thaqi theksoi se këto veprime po e paralizojnë funksionimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Reagim pati edhe nga anëtari tjetër, Artan Abazi, i cili tha se nuk ka asnjë dëshmi që mungesat e vazhdueshme të disa anëtarëve lidhen me probleme shëndetësore.
Në fund të marsit 2026, KGJK-ja kishte bërë të ditur se Rrustem Thaqi dhe Besnik Bislimaj janë dy gjyqtarët që kanë aplikuar për pozitën e kryesuesit.
Dy gjyqtarët që po kandidojnë për pozitën e të parit të Këshillit Gjyqësor janë anëtarë të këtij institucioni.
Thaqi është gjyqtar në Gjykatën Supreme, kurse Bislimaj gjyqtar në Gjykatën e Apelit.
Mandatin e kryesuesit i fundit e ka mbajtur gjykatësi nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, Albert Zogaj.
Mandati i tij përfundoi më 9 mars 2026.