Tensionet në veri: Shtohet numri i Njësive Speciale - NACIONALE

Tensionet në veri: Shtohet numri i Njësive Speciale

3 vjet më parë

nga Festim Gërguri

Mëngjesi i së hënës i ka zbardhur në Jarinjë dhjetëra policë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Ata janë vendosur afër pikës kufitare me Serbinë.

Disa prej tyre, në këtë vend ishin edhe një vit më parë, kur serbët bllokuan rrugën për shkak të masës së reciprocitetit.

Njësitet speciale u dërguan në veri të Mitrovicës, pas dorëheqjes së serbëve nga Policia e Kosovës.

Policët që po punojnë me orar të zgjatur, po patrullojnë në këtë pjesë që nga mbrëmë.

Pak kilometra larg tyre, në pikën kufitare janë dërguar policë nga rajone të tjera të Kosovës.

Disa prej tyre kanë ardhur nga pika kufitare tjetër që lidhë Kosovën me Serbinë, Dheu i Bardhë në Gjilan.

Ata kanë vazhduar procesin e qortimit të nisur ditë më parë, për shoferët serbë që kanë veturat me targa KM dhe të ngjashme.

Shumë afër kufirit, janë vendosur edhe policët e EULEX-it.

Policë të EULEX-it, u panë edhe në stacionin e policisë në Leposaviq.

Aty tashmë s’ka serbë, të cilët dorëzuan uniformat dhe armët e tyre.

Në këtë stacion dhe stacionet tjera policore po vendosen policët e Kosovës.

“Këtu është Serbi” , është mbishkrimi që vërehet në shumicën e vendbanimeve në këtë pjesë.

Në disa vende ka fotografi të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe atij rus, Vladimir Putin.

Tash e disa ditë prej kur ka filluar qortimi nga institucionet e Kosovës për qytetarët që nuk i ndërrojnë targat, në komunat me shumicë serbe – tash pa kryetarë – janë vendosur shumë flamuj serbë.

Lajme të ngjashme