“S’po guxoj as me mendu” — Reduktimet u ndalën përkohësisht, por Familja Gashi s’e di si do ta kalojë dimrin - NACIONALE

“S’po guxoj as me mendu” — Reduktimet u ndalën përkohësisht, por Familja Gashi s’e di si do ta kalojë dimrin

3 vjet më parë

nga Festim Gërguri

“Ato... ato janë... shumë... S’po guxojmë as me i mendu, e qysh do t’ia dalim nuk e di” — Familja Gashi nuk po guxojnë as ta mendojnë se si do ta kalojnë dimrin.

Ramadushi me gruan e tij Rozën nxehen duke djegur dru në shporet. Por, sigurimi i druve është goxha sfidë për çiftin nga Llukari.

Është shtir, po çka kemi me ba... me karrocë dore, kush të presë ndonjë dru e t’i lë, duhet me shku me i bajt. Çka me ba? Kah me shku? S’kemi pare” – thotë Ramadush Gashi.

Ramadushit dhe Rozës, që i kanë nga 70 vjet, me 100 euro të ardhura mujore duhet t’i blejnë 700 euro dru.

“Ne çdo vit, se shtëpia është shumë e ftohtë, ner 10 metra dru, s’mund të dalim” – thotë Gashi.

Sado që drutë janë tepër të rëndësishme për të mos ngrirë në dimër, Roza thotë se familja ka prioritete tjera, kur thotë se familja e saj dy anëtarëshe bën “luftë për thes mielli...”.

Krahasuar me vitin e kaluar, druvarët thonë se çmimi i druve është rritur për 25 euro.

Nga 45 euro sa ka qenë metri i druve vitin e kaluar, sivjet është bërë 70 euro dhe pritet të rritet edhe më shumë.

Momentalisht është 65 euro të ahut, 70 euro të bungut. Dallimi (me vitin e kaluar) është përmbi 25 euro”.

E arsyet kanë të bëjnë kryesisht me gjendjen emergjente të rrymës, por edhe të gjërave tjera ushqimore.

“Shkaku i rrymës elektrike, gjërave ushqimore, naftës dhe të gjitha gjërave tjera”.

E ata që zakonisht nxehen me rrymë, këtë vit po i mbushin hambarët me dru.

“Ashtu-ashtu edhe rryma është e shtrenjtë, edhe ata që e kanë me rrymë, përmbi 50-60% vijnë marrin edhe dru, shkaku i tutës që në gjysmë të verës nuk ke rrymë...”.

Ramadushi dhe Roza potencialisht mund të ngrihen së ftohti gjatë dimrit. Derisa gishtin për ta identifikuar fajtorin, druvari ia drejton qeverisë.

“O ministrja nuk ka punuar kurrgjë... edhe këta s’janë t’u punuar sen në dyja. Bile edhe ma hiç se ata të parët. Realiteti është ashtu”.

“Kur në gjysmë të verës nuk ke rrymë, në shekullin e 21-të, kjo do të thotë është (si rezultat) i papunësisë së qeveritarëve dhe njerëzve kompetent... merren me të kaluarën, në vend se me u marr me të ardhmen dhe me ec përpara”.

KEDS-i sot ka dalë me një njoftim ku thotë se me rikthimin e bllokut B2, njëherë për njëherë nuk do të ketë reduktime.

Megjithatë, pushtetarët bëjnë thirrje që rryma të kursehet. Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, momentalisht po përballemi me krizë globale energjetike.

Njashtu u raportua se Kosova u bë shteti i parë në Evropë që po përballet me kufizime të energjisë elektrike.

Lajme të ngjashme