Sami Salihu dhe Fehmi Kupina u përfshinë në rrahje, krejt çka dihet deri tash - NACIONALE

Sami Salihu dhe Fehmi Kupina u përfshinë në rrahje, krejt çka dihet deri tash

11 muaj më parë

nga Eriola Cacaj

Kuvendi komunal i Prishtinës, ishte mbledhur sot për të votuar buxhetin e vitit 2026.

Por, nga pamjet që po i shihni nga kjo mbledhje e cila u mbajt në kohën kur po zhvillohet edhe fushata për zgjedhjet e 12 tetorit, pothuajse shumica e asambleistëve të opozitës në Prishtinë, nuk ishin të pranishëm.

Mungesa e asambleistëve u kritikua nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili e mori fjalën pasi seanca u mbyll dhe shfrytëzoi rastin që t’iu bëjë thirrje prishtinasve që t’i ndëshkojnë asambleistët me votë.

Deri këtu, gjithçka shkonte në rregull me këtë mbledhje por pas saj, me të dalë jashtë, Fehmi Kupina është përfshirë në një rrahje me asambleistin e LDK-së, Sami Salihu.

Raportimet e para, thonë se Salihu e ka goditur me shishe qelqi në kokë kryesuesin e asamblesë së Prishtinës, Fehmi Kupina, megjithëse nga LDK kanë dhënë një version ndryshe.

Fotografitë që po i shihni, tregojnë të përfshirët në incident, njërin duke shkuar drejt veturës së Policisë dhe tjetrin në ambulancë.

Versioni i asambleistëve të LDK-së, është se Sami Salihu ka qenë ai që është sulmuar fizikisht para objektit të komunës – sic raportoget, nga djali dhe disa persona të afërt me kryesuesin.

Nacionale, nuk ka arritur t’i konfirmojë deri tani këto raportime rreth detajeve se si ka ndodhur rasti, por Policia e Kosovës, e ka konfirmuar incidentin.

Fehmi Kupina kishte dhënë dorëheqje nga Lidhja Demokratike e Kosovës në qershor të vitit 2023 kurse në zgjedhjet e sivjetme lokale, ai garon si kandidat i pavarur me iniciativën ‘Lidhja për Prishtinën’.

Lajme të ngjashme